Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se Nexhat Krasniqit, Udhëheqës (drejtor) i Divizionit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, i është shqiptuar masa disiplinore me ndërprerje të marrëdhënies së punës në shërbimin civil me vendimin e datës 12.11.2018.
Me vendimin e marrë nga organi i Sekretarit të Përgjithshëm, Ushtrues Detyre, ish-Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit i është ndaluar që të ushtrojë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e Udhëheqësit të Prokurimit, kjo përmes vendimit të datës 12.11.2018, me numër protokolli 10467, ndërsa vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës ka hyrë në fuqi më 12.11 2018.
“Në arsyetimin e këtij vendimi më tutje thuhet se Nexhat Krasniqi, më 21 shtator 2015 është dënuar me 26 muaj (2 vite e dy muaj) me burgim, me aktgjykimin e PKRnr. 144/2013 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për kryerjen e veprave penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare ku ka vërtetuar fajësinë e veprës penale edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me nr.KI45/17. Në vendim gjithashtu thuhet se aktgjykimi (PKR nr 144/2013) dënues me burgim i Gjykatës Themelore në Prishtinë, është konfirmuar edhe me Aktgjykimin PAKR, nr. 603/2015, si dhe nga Gjykata Supreme e Kosovës me Aktgjykimin Pml. Nr. 329/2016 më datë 2 mars 2017”, njofton MI-ja.
Gjykatës Kushtetuese, me Aktvendimin për papranueshmëri (nr. Ref: RK 1191/18), e ka cilësuar si të papranueshme kërkesën e bërë nga ana e tij.
“Andaj duke u bazuar pikat e lartcekura në përputhje me nenin 63, paragrafi 4, i cili citon: ‘Nëse nëpunësi civil shpallet fajtor dhe dënohet me kryerje të veprës penale, autoritetet kompetente administrative detyrohen që nga ato elemente të vendimit të gjykatës kompetente, që përbëjnë shkelje të parimeve dhe rregullave administrative, duhet të urdhërojnë shkarkimin e nëpunësit civil’, kjo është vendosur për shkëputjen e marrëdhënies së punës për Nexhat Krasniqin, deri tani në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Prokurim”, thekson MI-ja.
Ministria thotë se ish-Drejtori i Prokurimit deri tani nuk ka përfillur zbatimin e urdhëresës dhe vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës, duke vazhduar të pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare udhëheqësen e caktuar nga Ministria në detyrën e re, si dhe nënshkrimin e dokumentacionit në formë të kundërligjshme.
“Me datën 19.11.2018 në formën ilegale, përmes vetëgjyqësisë, ka nënshkruar dokumentacion zyrtar dhe pagesa pa autorizime ligjore. Përmes shkresës zyrtare, Ministria e Infrastrukturës, ka njoftuar Policinë e Kosovës me datën 19.11.2018 për largim nga zyra dhe ndalim të pengimit të ushtrimit të detyrës zyrtare për zyrtaren përgjegjëse të Prokurimit”, njofton më tej MI-ja, ndërsa thekson se “deri më tani Policia e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë masë, duke lënë që Nexhat Krasniqi ta sfidojë Ministrinë e Infrastrukturës dhe organet e rendit, duke penguar fizikisht në ushtrimin e detyrës zyrtare zyrtaren e caktuar në këtë pozitë”.