Lokale - eSIMy

Ndonëse ishte premtuar se këtë vit do të përfundojë e gjithë autostrada “Arbën Xhaferi”, Ministria e Infrastrukturës, të enjten është krenuar se është vënë shtylla e fundit në urën që po konsiderohet më e gjata në Ballkan.

Të enjten atje ka shkuar për vizitë inspektuese të punimeve numri një i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Saktësisht ka vizituar punët që janë duke u zhvilluar në përfundimin e urës 407, në autostradën “Arbën Xhaferi” me ç ‘rast është vendosur trari i fundit në këtë urë, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ministri Lekaj duke kërkuar nga kompania kontraktuese që punimet e mbetura të realizohen me standarde të larta, i ka përgëzuar të gjithë punonjësit që me kontributin e tyre të palodhshëm kanë bërë që ky projekt të realizohet me cilësi të lartë.

Ndonëse Maqedonia i bie në pjesën juglindore të Kosovës, Lekaj ka thënë se kjo autostradë e lidhë Kosovën me perëndimin.

“Kjo urë po lidhë Kosovën me perëndimin dhe të gjitha shtetet që na kanë përkrahur. Sot kemi vendosur traun e 1414 në këtë urë, që tregon se kjo urë është më e gjata dhe më e larta në rajon si pjesë e një autoudhe që lidhë korridore me rëndësi dhe i kontribuon edhe zhvillimit ekonomik të vendit”, tha pos tjerash ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ai po ashtu deklaroi se mbështetja e pa rezervë e Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Haradinaj, ka bërë të mundur që projekti i autoudhës “Arbën Xhaferi” të përfundojë si duhet dhe brenda afateve të dakorduara. E ka pranuar se projekti nuk do të përfundojë brenda këtij vit dhe kjo për shkak të kushteve atmosferike, siç ka thënë “në mënyrë që ato të mos ndikojnë në cilësinë e punimeve në këtë projekt madhor për vendin dhe qytetarët”.

Kurse sa i përket mbylljes së rrugës nacionale u tha se që sot rruga do të jetë e hapur për qarkullim.

Ndërsa Riyadh Alkhazraji nga “Bechtel & Enka” e ka falënderuar ministrin Lekaj dhe ministrinë që ai e drejton, duke mos e lënë anash edhe qeverinë për përkushtimin e jashtëzakonshëm që të mënjanojnë të gjitha pengesat e shfaqura gjatë realizimit të këtij projekti me rëndësi për qytetarët e Kosovës.

Projekti e parashihte që punimet të përfundojnë më 31 dhjetor të këtij viti.

Kujtojmë se për 60 kilometrat e autostradës “Arbën Xhaferi”, Qeveria e Kosovës i kishte paguar rreth 600 milionë euro kompanisë ‘Bechtel-Enka’.

Kurse, këtë vit, ekzekutivi ka nisur pagesën shtesë prej 53 milionë eurosh për këtë kompani, si pasojë e mosrespektimit të kontratës.