Javën e kaluar, mësuesja Remzie Lezi me një vendim u largua nga puna në shkollën “Flamuri i Arbërit” në Suharekë, për shkak të ‘uniformës fetare’, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Por, tani mësuesja Lezi është kthyer në vendin e punës dhe po e vijon mësimin me nxënësit e saj.
Lajmin për rikthimin e saj në punë e konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.
“E kam theksuar gjithmonë se jam në zbatim të ligjit. Mësuesja po e vazhdon punën”, tha shkurt Muharremaj për Reporteri.net.
Të premtën, Këshilli Drejtues i shkollës “Flamuri i Arbërit” në Suharekë mori vendim që të mos e lejojë Remzie Lezin ta ushtrojë profesionin e saj për shkak të mbulesës.
Përkundër vendimit, mësuesja në fjalë vazhdoi të shkonte në shkollë pasi e cilësonte si të padrejtë një gjë të tillë.
“Kam ardhur brenda në shkollë jam, më kanë leju me hy por drejtori erdhi më herët dhe më tha nuk mundem me të lanë këtu më këtë uniforimë”, tha ajo një ditë pas përjashtimit.
Kujtojmë se në vendimin për largimin e saj thuhej se duke u bazuar në udhëzimin administrativ të vitit 2016 i cili nuk lejon uniformë fetare në shkolla, mësueses Lezi nuk i lejohet të vazhdojë të mbajë mësim.