Lokale - eSIMy

Katër persona kanë kërkuar tretman mjekësor në emergjencën e Spitalit të Pejës, për shkak të zjarrit të madh në depot dhe qendrën tregtare ELKOS Center në Pejë.

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin doktori i emergjencës Besnik Ibraj, i cili tha se personat janë helmuar nga dioksidi i karbonit, për shkak të zjarrit të madh.

Ai tha se gjendja e tyre për momentin është stabile.

“Katër persona janë të helmuar nga dioksidi i karbonit, gjendja e tyre është stabile për momentin”, ka thënë Ibraj.

Ndërkaq, Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka bërë të ditur për Telegrafin se ende po vazhdojnë të jenë në flakët e mëdha të zjarrit depot dhe qendra tregtare ELKOS Center në Pejë.

Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas tij, në fillim janë përfshi nga flakët e zjarrit depot, më vonë edhe qendra tregtare ELKOS Center në Pejë.

Ai po ashtu bëri të ditur se në vendngjarje janë të gjithë njësitë e zjarrfikësve nga të gjitha rajonet e vendit.

“Njëherë depotë janë përfshi nga flakët, pastaj është përfshi nga zjarri edhe qendrat tregtare ELKOS-it. Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitë e zjarrfikësve nga të gjitha rajonet e tjera”, ka thënë Gashi për Telegrafin.