Lokale - eSIMy

Pëmbledhi: Gani Mehmeti

FSHATI REÇICË

Shtrihet në krye të Grykës së Mavriqit, përtej Sllatinës në veriperëndim, rreth 30 km larg qendrës komunale të Llapit – Podujevës. Fshati është i regjistruar  dhe përmendet  në vitin 1455 në defterin kadastral osman të Vilajetit Vëllk  me 14 shtëpi dhe dy beqarë[2]. Është vendbanim i tipit të shpërndarë dhe i ndarë në nënlagjet: Jaha, Sinani e Shabani që janë të një vëllazërie dhe atë të lagjes Mehanë, të cilët janë të ardhur nga fshati me të njëjtin emër nga Toplica në vitin 1878.

Edhe ashtu, sot Reçica ka mbetur e zbrazët dhe ish banorët e tij e vizitojnë vetëm për dy tri javë kur janë kosimet. Atëherë vijnë këtu ata sa për të grumbulluar barin për kafshët e tyre dhe ikin për në rrafshin e trevës së Llapit. Po edhe për bari nuk vijnë të gjithë. Këtu vjen një numër i vogël. (Eh, sa është etur për banorët e vet ky fshat!). Burimet janë bërë pa u dëlirur sepse nuk ka më barinj në të. Malet janë trashur, sepse kanë humbur të zotët, kanë tretur dhe sikur kanë harruar se e kanë një pronë atje në majet më të bukura të trevës së Llapit, atje, ku siç thotë Naim Frashëri, ku fryn veriu në verë e atje, ku mërzen cjapi me zile! Veriu fryn sërish, po zile e këmborë nuk ka më. Atje ka mbetur pa njeri brenda kulla e Demë Ahmetit, kulla ku u vranë e prenë rreth 30 veta nga shkiet më 1811, është këtu ajo kulla e Ajetes.  Ka mbetur e vetmuar e tërë Reçica ,e cila ushqente aq banorë fshati dhe, e cila, aq e vlefshme ishte. Në Reçicë sot nuk kultivohet as druri më. Reçicasit e sotëm i gjen kudo në rrafshin e Llapit, por jo në Reçicë.

 

 

Të gjitha objektet te Kulla e Demë Ahmetit në Reçicë

 

Familja më e njohur në fshatin Reçicë ishte ajo e Demë Ahmetit. Historikisht kjo familje përmendet më 1455 në mesin e 15 familjeve të tjera, si Kola Reçi, Reça e ndoshta edhe Reçica, kurse shpjegime të tjera nuk janë dhënë. Kola, si zot shtëpisë, përmendet edhe në dokumentet osmane për Sanxhakun e Vushtrrisë të vitit 1487. (Dokumentet nuk janë botuar). Sipas këtyre dokumenteve, të mbledhura në terren  prej 23 qershorit deri më 2 korrik 1487, është shënuar se në fshatin Reçicë ishin 12 familje dhe 2 beqarë. Aty përsëri përmendet familja , ku zot shtëpie ishte Kola. Në kujtesën e historike është ruajtur se biri i Kolës është Pepa, i cili jetoi deri rreth vitit 1650. Në literaturën serbe përmendet se i pari i Mavriqit ishte Pepë Kola i fisit Sop të Mavriqit. Si zot shtëpie i familjes së Pepë Kolës të besimit katolik përmendet Leka dhe i biri in tij Gjoni[3].

Është koha  kur zhvillohen luftrat austro-turkedhe bëhen shkatërrime të mëdha nga të dyja palët ushtarake, të cilët luftërat i zhvillojnë  në tokat shqiptare. Atëherë njerëzit ishin të rrezikuar edhe nga sëmundja e mortajës. Kështu, për të shpëtuar nga këto të këqija, njerëzit janë përpjekur të gjejnë vende të paprekura nga sëmundja, prandaj edhe reçicasit kanë zbritur pak më poshtë, në juglindje të fshatit dhe janë vendosur në Dvorishtën e sotme. Këtu ka ardhur Pepa apo Gjoni, nuk është me rëndësi, por toponimi Guri i Gjonit në Dvorishtëflet shumë, dhe, me gjasë, pasardhësi i Gjonit, islamizohet. Megjithatë, sipas gjasave nga Gjoni  rrjedhin mavriqasit e sotëm, e sidomos reçicasit dhe vetë Demë Ahmeti. Deri në këtë kohë shqiptarët e kanë shfrytëzuar edhe kishën e tyre në Reçicë. Me islamizimin e tyre  kishës ia kishin kthyer shpinën. Me t`i kthyer shpinën kishës, atë e përvetësojnë sllavët, duke e quajtur të tyren, pa qenë asnjëherë e tyre. Kjo ishte politikë e turkut dhe e sllavit, që shqiptarët të mbesin pa identitet konfesional e religjioz. Ndërkaq, nën gjurmët e objektit të kishës, gjenden edhe varrezat në një shpat mjft të thepisur dhe ka nevojë për hulumtime arkeologjike.

Reçica, me emrin e ri, Demahmet, ka një sipërfaqe prej  1217 ha, 74 ari e 51 metra katrore, që do të thotë se ka mbi 12 km2.

Gjurme të kulturës materiale gjenden në vendin e quajtur Rumeçiq, ku ka tulla, tjegulla, enë të dheut etj. Sipas gojëdhënës e cila është përcjellë brez pas brezi gjatë shumë gjeneratave, ky lokalitet ekziston qysh nga koha e sundimit romak, edhe pse nuk është i studiuar ose i hulumtuar.

Reçica

 

Elemente të tjera karakteristike që vlen të theksohen janë varrezat dhe gjurmët e kishës, për të cilën supozohet se është e kohës së krishtërimit të hershëm.  Në fshat ndodhej bazilika e kishës, e cila gjendet te Reka e Belloshës. Këtë janë munduar ta përvetësojnë serbët. Mirëpo, është konstatuar se është kishë e vjetër para sllave e periudhës romake[4].

Reçica përmendet në të gjitha dokumentet e shkruara nga viti 1455[5],  në  regjistrin sumar të Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1487 dhe kishte 12 shtëpi e 2 beqarë[6], në vitet1566-74 kishte 7 shtëpi e 6 beqarë[7]. Reçica përmendet disa herë edhe në vitet 1763-1783 në regjistrin e Manastirit të Deviçit. Po me këtë emër është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe në atë të vitit 1900 91318 h)[8].

Në vitin 1979 Reçica kishte 57 familje, por  më vonë 52 prej tyre  kishin qenë shpërngulur, ndërsa vetëm pesë familje po jetonin në Reçicë. Shkaku kryesor i shpërnguljes së banorëve është  paperspektiva për jetë në fshatrat malore-kodrinore dhe mbetja prapa në të gjitha lëmenjtë e jetës, përveç shkollimit fillor.

Përmendorja kushtuar Demë Ahmetit nga pasardhësit e tij, e mbetur e papërfunduar deri tani, në hyrje të fshatit Reçicë. Do të ishte mirë ta ndihmonte edhe komuna deri në përfundim

POPULLSIA E REÇICËS

Sipas regjistrimeve nëpër vite, Reçica kishte banorë me sa vijon:

  • në vitin 1913 kishte 153 banorë në Reçicë;
  • në vitin 1921 kishte 14 shtëpi me 119 banorë;
  • në vitin 1948 kishte 17 shtëpi me 188 banorë;
  • në vitin 1953 kishte 17 shtëpi me 207 banorë;
  • në vitin 1961 kishte 24 shtëpi me 202 banorë;
  • në vitin 1971 kishte 17 shtëpi me 154 banorë;
  • në vitin 1981 kishte 14 shtëpi me vetëm 102 banorë.

Nuk mbahet mend të ketë pasur banorë të kombeve tjera në Reçicë, pra , të gjithë ishin shqiptarë.

Shpërngulja e popullatës nga Reçica ka filluar herët. Qysh në vitin  1935 ishin shpërngulur në Shkabaj familjet (vëllezërit) Ibishi;  Ali, Sheqir, Ruhan, Rrahman e Halil Ibishi dhe Asllan (Lan) Asllani.

Bahtir e Rrustem Fejzullahu në Shajkofc ishin vendosur në vitin 1950.

Në vitin 1954 Beqir Jaha ishte shpërngulur në Trepçë.

Më pastaj, në vitin 1955 kemi zhvendosjet e para gati masovike që fillojnë nga ky fshat, kur Hamzë, Halim, Brahim e Hashim Jaha vendosen në Sfeçël, ndërsa po këtë vit vendoset në Letanc Pajazit Fejzullahu, kurse Halil, Ejup e Zeqir Fejzullahu vendosen në Sfeçël.

Në vitin 1957 Feriz e Idriz Fejzullahu vendosen në Peran, ndërsa vallai i tyre , Abazi vendoset në Dumnicë, kurse djali i Idrizit, Ilazi ishte vendosur po këtë vit në Bajçinë.

Në vitin 1958 në Bajçinë vendosen Abdullah, Rizah e Isuf Fejzullahu.

Dy vjet më vonë, më 1960 në Sfeçël shpërngulet edhe  familja e Bislim Fejzullahut, Tahir e Tafil Jaha shpërngulen në Gllamnik kur Islami Sefës (Islam Islami) ishte vendosur në Tërnavicë, bijtë e të cilit shpërngulen në Peran në vitet e 1980-ta.

Ali Jaha shpërngulet në Ballovc në vitin 1964 me të bijt, ndërsa i vëllai i tij, Fazli Jaha ishte vendosur po këtë vit në Surkish, po ashtu me bijtë e tij Jahir, Sheqir, Ilaz etj.

Në vitin 1965 kemi shpërnguljen e vetëm një familjeje, atë të Nazmi Sefës, që ishte vendosur në Podujevë.

Dhe, tani sikur bie pakëz fluksi i shpërnguljeve. Për pesë vjet kemi vetëm një familje të shpërngulur, është ajo e Sylejman Sefës, që vendoset në Polanicë me vëllezër në vitin 1970. Këtë vit Ramë Jaha vendoset në Ballovc, ndërsa Jahiri i Xhelë Jahës në Tenezhdoll.

Më 1972 kemi shpërnguljen e Sherif Jahës në Sfeçël.

Më 1975  Latif Jaha shpërngulet në Prishtinë, Hajriz Jaha në Ballovc dhe Rushit Hamiti në Bajçinë.

Arifi i Zukë Jahës vendoset në Podujevë në vitin 1978.

Në vitin 1979 bëhet shpërngulja e tri familjeve Shabani: ajo e Niman, Osman e Rexhep Shabanit në Bajçinë, ndërsa këtë vit Neziri i Xhelës vendoset në Katunishtë.

Në vitin 1980 shpërngulen: Muharrem e Shefki Jaha në Gllamnik[9].

Ndërmjet viteve 1981 e 1999 kemi edhe shpërnguljet e familjeve të fundit të mbetura në Reçicë: Mehmet Jaha, Hajriz  Fejzullahu, Sadik Hamiti, Miftar Fejzullahu e Bajram Sefa si dhe dy familjeve  Zeqir e Qazim Mehana. Dhe… Dhe, sot nuk ka asnjë banorë në Reçicën e Demë Ahmetit. Mirëpo, pronën e kanë të gjithë ashtu sikur e kanë pasur deri sa kanë jetuar atje, sepse ajo nuk është shitur, mbasi nuk e ka blerë askush.

Të shpërndarë anekënd Llapit e Kosovës, sot me prejardhje nga Reçica janë gjithsej  152 familje, nga 55 familje që kanë qenë deri në vitin 1980. Banorët e fshatit Reçicë[10] të Mavriqit të Llapit të gjithë janë pasardhës të familjes së Demë Ahmetit Deri sa Islam Qorrin e kishte vendosur në Përroin e Islamit (kështu u quajt nga vetë Islami) dhe Mehmetin e Mehmetit, do të thotë nipin  tjetër, e kishte vendosur në Sllatinë,

 

Në një ekspeditë shkencore, para përmendores së Demë Ahmetit dhe të rënëve të tjerë në Grykën e Mavriqit të Llapit, në Reçicë. Nga e majta: Prof. Dr. Shefki Sejdiu, Dr. Mehmet Halimi, Dr. Jusuf  Osmani dhe autori i kësaj monografie.

 

Fshati Reçicë është në majat më të larta të Mavriqit. Ka katër lagje: Jahët, Sinanët, e Shabanët, të gjitë pasardhës të Demë Ahmetit.  Lagjja tjetër është ajo e Mehanëve,të ardhur nga fshati Mehan në vitet ezbrazjes së Toplicës me shqiptarë, pra në vitet 1877/1878. Në vitin 1979 jetonin vetëm 5 familje në eçicë, ndërsa sot nuk jeton as edhe një familje në të. Të gjithë banorët janë shpërngulur prej këtij fshati.

                

Mulliri i Demë Ahmetit, Reçicë

     Pikorientimi: Vorret Q (Qendra)

(V, VL, VP, P, L, J, JP, etj. Tregojnë anët e horizontit nga qendra, apo nga pika e orientimit në mbledhjen e emrave të vendeve.)

 

  • Ara e Ajetit, V. Më parë është quajtur Ara e Azllanit. Është pronë e Ali Jahës.
  • Ara e Bajramit, P. Quhet në emër të pronarit të sotëm.
  • Ara e Bregut, P. Kompleks arash që gjenden në një breg. Janë pronë e Sadikut.
  • Ara e Ledin`s, VL. Ka qenë lëndinë, ndërsa tani është arë.
  • Ara e Lugut t’ Lejthijave, P. Lejthijat janë shumë të mëdha.
  • Arat e Lugut, J. Quhen të Lugut, nga se gjenden në një luginë.
  • Arat e Padezhit, V. Tash janë livadhe.
  • Arat e Plepit, P. Tani ka plepa të rinj, me gjasë që kanë dalë (mbirë) nga një plep më i parë.
  • Ara e Rek’s, VP. Ishte pronë e Ali Jahës, tani është pronë e Sadikut.
  • Ara e Sabitit, P. Ka qenë pronë e Sabitit, i cili ka qenë shpërngulur jashtë Kosovës – në Bihaq të Bosnjë e Hercegovinës. Tani është pronë e Mehmetit të Zukës.
  • Araqt e Stanit, P. Këtu kanë qenë të vendoisura stanet e DemëAhmetit. Tani është pronë e Sadikut t`Hamitit.
  • Ara e Sheqiroviqe , VL. Sheqirovitë janë shpërngulur në Turqi pas vitit 1912. Tani ara është pronë e Niman Shabanit
  • Ara e Zuk`s, VP. Tani është pronë e Shefkiut.
  • Ara mi Shpi, P.
  • Arat mi Shpia t`Osmanit, V.
  • Arat nër Shpi t`Osmanit, V. Duhet të kuptohet, arat, të cilat janë nën shtëpinë e tij, quhen Arat nër shpi, ndërsa at që janë në anën e sipërme të shtëpisë së tij, quhen Arat mi Shpi t`Osmanit
  • Ara nër Shpi, P.
  • Bashqja e Zeq`s, VL. Ka kumbulla, dhe, shpesh quhet bashqja e Kumllave. Këtu është edhe kroni.
  • Bregu, V. Është mal.
  • Bregu i Çobane, L. Këtu kanë ndnjur barinjtë në kohën sa kanë mrizuar delet (bagëtia).
  • Çuka , V. Livadh. Ndryshe quhet edhe Çuka e Katunit. Këtu janë mbajtur kuvendimet e katundarëve në të kaluarën, sepse gjendet në mes të katundit. Në kuvendime i ftonte plaku i katundit.
  • Çuka e Ërrnicave t` Katunit, VL. Lëndinë. Reçica është me një konfiguracion të tillë që ka shumë lugje, përroje, përrocka, shpatije dhe maja, apo kodrina. Kështu, populli e ka quajtur Çukë çdo majë të kodrinave dhe për këtë arsye, ka shumë çuka.
  • Çuka e Lugjve, V. Mal e livadh. Këtu janë lugjët, në të cilët pijnë ujë kafshët, bagëtia. Lugj quhen govatat, koritat, që janë përherë të mbushur me ujë nga gurra e burimit. Prej disave quhen edhe Poilla.
  • Çuka e Madhe, V. Mal, fushë e livadhe.
  • Çuka e Përmalin`s, VP. Livadh. Është maja më e ngritur e Përmalin`s.
  • Çuka e Sheqirit, V. Quhet në emër të një ish pronari.
  • Dardhishta, L. Është nkjë lëndinë me drunj dardhash. Dardhat janë shumë të vjetra dhe të trasha.
  • Dollet, JP. Është mal.
  • Grebeni, P. Është livadh.
  • Gurra e Jahirit, P. Gurra gjendet tek Dollet, por mbasi e ka regulluar Jahiri, quhet e Jahirit.
  • Hajduka, VP. Është livadh.
  • Hieja e Bregut, V. Mal[11].
  • Hieja e Grebenit, P. Është mal.
  • Jezerci (i) Epër, VP. Tani është moçal. Dikur ka qenë liqe, por është mbushur. Edhe sot vendi i liqenit ka mbetur moçal, i butë dhe nuk i mban as njerëzit e as kafshët po hunë në të.  Në popull, dikur thuhej se është pus pa fund, sepse fundosej kushdo që hynte në të.
  • Jezeri (i) Poshtër, VP. Ky liqe ka ujë vetëm në kohën kur ka shi shumë ose borë. Gjatë vereës mbetet pa ujë.
  • Josikofci, P. Therrishtë.
  • Karolli (i) Diushkut, V. Livadh e mal.Një copë mal është i rrethuar me livadh. Quhet Karolli i Dushkut, sepse gjendet në mal. Ishte Karoll derisa ishin TURQIT. Tani s`ka asgjë.
  • Karolli (i) Kërshit, V. Livadh e mal. Karolli e ka marrë emrin në bazë të kërshit (shkëmbit) pranë të cilit ishte vendosur Karolli. Është rrënuar me kohën dhe nuk ekziston prej kohësh.
  • Kërqevinat, VL. Mal e lëndinë. Janë mere.
  • Kërshi (i) Madh, P. Shkëmb. Nga ana e poshtme, ky shkëmb është mjaft i lartë, ndërsa nga ana e epërme vie rrafshi në tokë.
  • Kërshat e Kolibaxhive, VP. Shkëmbinj. Nuk dihet kush kush kanë qenë ata kolibaxhi dhe kur kanë qenë.
  • Kërshi (i) Kryp`s, P. Mal i rrethuar me livadhe. Ky kërsh ka qenë vend ku është zhvilluar tregtia në të kaluarën. Është bërë tregtia me kryp. Është një shkëmb bukur i madh dhe gjindet në afërsi me kufirin e RS të Sërbisë.
  • Kisha, L.. Thuhet se kasha është ndërtuar në rrafshinë të një are, por kur janë çuar në mëngjes, atë e kanë gjetur në breg, ku edhe sot shihen gjurmët e saja. Ky vend vizitohet prej serbëve në fund të çdo maji. Thuhet se shërben për shërimin e sëmundjeve nga sytë. Kjo është legjendë.
  • Kodra e Nimanit, V. Kodra është e përbërë me ara, livadhe e me mal. Gjindet në veri të shtëpisë së xha Nimanit. Pjesa dërmuese e saj është prone e tij.
  • Kroni (i Asqerit t`Nizomve, VL. Herë-herë quhet Kroni i Asqerit e here quhet Kroni i Nizom`ve.
  • Kroni (i) Ërnicave, VL.
  • Kroni (i) Hajduk`s, P.
  • Kroni (i) Halilit t` Mehan`s, VL.
  • Kroni (i) Imerit, JL.
  • Kroni (i) Livadhit t` Markut, V.
  • Kroni (i) Lugut, J.
  • Kroni (i) Moll`s, P.
  • Kroni (i) Mrizit t` Deshve, VL.
  • Kroni (i) Nimanit, V.
  • Kroni (i) Nizom`ve, V. Në këtë krua kanë marrë ujë ushtarët turq, të cilët rrinin në Karollin e Dushkut. Kroni gjendet ne Belloshë.
  • Kroni (i) Rek`s, L.
  • Kroni (i) Rexh`s, V. Është afër Kërshit t` Kryp`s.
  • Kroni (i) Sejdiajve, V. Gjendet në Rumeçiq.
  • Kroni (i) Zuk`s, VP. Gjendet te Hajduka[12]
  • Kulla e Bellosh`s, V. Themeleve të e saj i kanë mbetur gjurmët ende. Këtu kanë qenë dy kulla: Njëra ka qenë ndërtuar para vitit 1912 në territorin e Kosovës, ndërsa tjetra Brenda territorit të Serbisë, pas vitit 1878.
  • Kumllat e Livadhit t`Dakut, P. Kopësht pemësh, kryesisht me kumbulla.
  • Lama e Hajrizit, P. Lamë quhet vendi ku ka fshi grurin me kuaj.
  • Lama e Moll`s, P. Është livadh[13].
  • Lamtë, VL. Livadh.
  • Livadhak, P. Sot është arë.
  • Lini, V. Quhet kështu livadhi , në të cilin del një lloj bari në formë të linit.
  • Livadhi (i) Ar`s, V.
  • Livadhi (i) Sadikut, VP. Livadh
  • Livadhi (i) Shabanoviçe, V. Është prone e Jahirit t`Fazliut.
  • Livadhi (i) Vogël, P.
  • Lisi (i) Madh, V. Gjendet në kodër.
  • Lugu i Ar`s t`Rek`s, VP.
  • Lugu i Arave t` Vërtaç`s, JP. Mal.
  • Lugu i Lejthijave, P. Luginë me mal. Është me drunj lejthijash.
  • Lugu i Rog`s t`Jahirit, P.
  • Mali (i) Tërshan`s, P. Afër këtij mali ka qenë mbjellur ara për here të pare me tërshërë dhe i ka mbetur emri.
  • Mes Kërshi, P. Mal
  • Mrizi (i) Deshve, VL. Thuhet se këtu ka mrizuar Jahë Rçica deshët, i cili ka mbajtur shumë deshë dhe ka bërë tregti me ta. Jaha ka qenë biri i Avdullit t~Demë Ahmetit.
  • Mullini (i) Demë Ahmetit, VP. Këtu, afër mullirit, Demë Ahmeti e kishte pasur edhe shtëpinë dhe Kullën, ku i qenë prerë djemtë, nipërit, rejat, bashkëshortja dhe vajza e vetme që e kishte, Ajetja, për të cilën ishte sulmuar familja e saj. Kjo familje ishte sulmuar nga një grup komitësh serbë, në krye të të cilit ishte vënë Novica i Zi.
  • Mullini (i) Jahoviçe, VL..
  • Mullini (i) Nimanit, VL..
  • N`Ara mi ship, V.
  • N`Ara nër Shpi, V.
  • N`Arë t` Vërtaç`s, JP, Arë.
  • N`Livadh t`Dakut, P. Nuk dihet se kush ishte Daku. Livadh.
  • N`Rumeçiq, V. Është pronë e Sejdiajve. N`Rumeçiq quhet ana e lindjes e deri në veri të fshatit, që përafërsisht duhet të jetë gjysma e territorit të fshatit Reçicë.
  • N` Rrafsh t`Zymerit, VP. Livadh.
  • Padezhi, V. Troje të lashta, të cilave sot u shihen vetëm gjurmët.
  • Përmalina, P. Në anën e kundërt të Rumeçiqit, shtrihet Përmalina, që të dyja së bashku e përbëjnë reçicën.Përmalina shtrihet në perëndim të varrezave të fshatit Reçicë. Thuajse gjysma e familjeve të katundit banojnë në këtë anë, që me Rumeçiqin i ndan Kodra e Katunit. Këtu, te Kodra e Katunit binte çakalla për t`i ftuar katundarët për në mbledhje (konferenca,  siç quhej aso kohe) të ndryshme.
  • Prroni (i) Hajduk`s, P. Livadh.
  • Prroni (i) Livadhit t`Ar`s, JP. Mal.
  • Prroni (i) Mladenit, J. Mal. Sipas legjendës, Mladeni kishte marrë pjesë në rrethimin e shtëpisë së Demës, mirëpo, në luftë e sipër , ai kiste nisur të ikëte. Dikush nga familja e Demë Ahmetit e kishte diktuar  se ai ishte mëshehur në malin përballë shtëpisë dhe e gjuan, i cili ishte plagosur dhe kishte mbetur aty, ku edhe kishte vdekur, por kishte fituar përroi emrin e tij.
  • Prroni (i) Pish`s, P. Ka pasur ndonjë pishë në të.
  • Prroni (i) Milanit, V.
  • Prroni (i) Stanit, P. Livadh e mal.
  • Prrocka e Ujt`, L.[14] Këtu është edhe gurra, ku pijnë ujë kafshët.
  • Prroni (i) Lugut, VP.
  • Qafa e Beçiqit, V. Nuk dihet pse quhet kështu, po ndoshta nga emri Beq-ë,a, i ka mbetur Beçiq.
  • Qafa e Livadhit t`Lugut, P.
  • Rekalitë, JL. Thuhet se ka pasur troje. Rekalitë quhet vendi prej ku bashkohen  të dy rekat (lumenjtë): Reka e Rumeçiqit dhe e Përmalin`s e deri në Sllatinë. Ndoshta banorët e këtushëm  janë quajtur Rekali nga ata që kanë banuar shpatijeve dhe kodrinave, nga që këta kanë banuar buzë lumit.
  • Reka e Rumeçiqit, V. Mal e livadh. Është fjala për mbarë lokalitetin e e Rumeçiqit e jo vetëm për Rekën, p[ër Rumeçiqin si territor në përgjithësi. Në këtë pjesë të katundit  gjendeshin shtëpitë apo trojet e sejdiajve, prej të cilave nuk ka mbetur më fare as edhe një’ familje në Reçicë e as në Rumeçiq, nga që janë shpërngulur në mungesë të kushteve për një jetë më të mirë.
  • Rogat, VP.
  • Roga e Jahirit, P.
  • Rrezja e Bregut, V.
  • Rrezja e Grebenit, P.
  • Rrezja e Stanit, P. Mal.
  • Rrezja e Shejt, L. Vend me gllia. Këtu kanë gjuajtur shej krushqit, kur kanë ardhur për të marrë vajzat për nuse në Reçicë. Pa vrarë shejin,  nuk ua kanë lëshuar nusen për ta marrë.
  • (Te) Ara e Dem`s, V. Ishte njëra nga arat e Demë Ahmetit.
  • Te Baret, VP. VP. Livadh. Te baret quhet vendi me bari.
  • Te Santë e Pleqe, P. Livadh. Është pronë e Ilzit nga Dvorishta. Ndoshta pse i kanë vnuar pleqët sanët, i ka mbetur ky emër. Përndryshe, nuk dihe se pse e si i ka mbetur ky emër.
  • Tërshana, P. Arë. Kështu quhet ara që qe mbjellur me tërshërë për të parën herë. Deri vonë, sa nuk kishin filluar të shpërnguleshin prej katundeve, populli çilte toka të reja, duke prerë malin e duke i nxjerrë lisat me rrënjë. Toka e re, siç quhej, për të parën herë mbillej me tërshërë zakonisht e rrallë edhe me patate, dhe, karastisur t`i mbetet emri i kulturës me çka ka qenë mbjellur për herë të parë.
  • Udha e Ahmetit, V. Rrugë. Quhet e Ahmetit, sepse e ka mbaruar ai që nga shtëpia e deri në Çukën e Katunit.
  • Udha e Jahirit, VP.
  • Udha e Livadhit t`Lugut, V.
  • Udha e Stanit, P.
  • Vorret, Q. Vorret e Reçicës, që unë i kam marrë si pikëorientim, gjinden në fillim të Grykës së Përmalinës. Vorret janë bukur të vjetra. Këto janë nisur për herë të parë me varrosjen e bijve të Demë Ahmetit dhe të bijës, Ajetes, që qenë prerë prej komitëve serbë rreth vitit 1811.
  • Vorri (i) Gerkut, VP. Ndoshta nga populli ka marrë shqiptim të gabuar, se është dashur të quhej. Vorri (i) Grekut, pse quhet Vorri (i) Grekut. S`dihet kush ka qenë ai as pse quhet kështu.
  • Vorret e Nizom`ve, VL. Varreza. Legjenda thot: “Njëfarë Millani i Igrishtës e kishte zënë pobratim (vëllamëth) një nizom, ushtar të turkut. Një ditë ky Millani i fton për të shkuar në një qershi se i kishte të mira. I besojnë Millanit dhe shkojnë. Kur shkojnë te trupi i qershisë, të dy nizomët hypin në qershi, ndërsa Millani gjen një arsye për të hypur më vonë. Ai, mbasi hyp, i han pak qershia dhe zbret në tokë. E rrok manzeren dhe i vret të dy nizomët në qershi. Qëllimi i tij kishte qenë për t`ua marrë manzerkat e at’hershme të mbretit. Këta dy nizomë janë varrosur këtu dhe tash quhen të tyre. Pushkët kanë qenë të Sulltan Hamitit dhe i kanë zënë nga dy fishekë. “Kështu thotë” legjenda.
  • Zhigia, V. Livadh me gllia. Është afër mrizit të Deshve. Emri i ka mbetë, ndoshta, nga zhig-u, që më vonë është thirrur zhigia.

 

 

Informatorët:
1. Nimon Shabani, 1902, analfabet, bujk, Reçicë, më 12.I.1975
2. Fazli Jaha, 1906, analfabet, bujk, Reçicë, 10.X.1974
3. Ali Jaha , 1909, analfabet, Reçicë
4. Sadik Zeneli, 1940, bujk. Dhënë autorit më 21.VIII.2004, Podujevë
5. Zukë Jaha, 1943, ndërtimtar, Sfeçël, 6.I.2006
6. Bislim Ibishi, 1944, ing. i bujqësisë, Shkabaj. 30.VII.2006
7. Faik Jaha, 1951, mësues, Reçicë
8. Isa Jaha, 1951, shofer, Reçicë
9. Mehdi Zeneli, 1954, prof. i Gjuhës shqipe dhe letërsisë, Obrançë. Podujevë, më 21.VIII.2004

Vërejtjet dhe këshillat e lexuesve janë të mirëseardhura!

 

[1] Gani Mehmeti: MAVRIQI I LLAPIT, Podujevë, 2010.

[2] Obllast Brankovića

[3]  Dr. Fehmi Pushkolli: DEMË AHMETI, Prishtinë, 1997,  faqe 62 e 63.

[4]  Dr. Jusuf Osmani, vepra e cituar, faqe 121.

[5]  Në defterin kadastral osman të vilajetit      Vëllk dhe kishte 14 shtëpi, dhe dy beqarë.

[6]  Defteri sumar i  Sanxhakut të Vushtrrisë, nr. 22, i vitit 1487.

[7]  Selami Pulaha: Popullsia shqiptare…, f. 691

[8]  Dr. Jusuf Osmani, vepra e cituar, faqe 121.

[9]  Shënimet për familjet e shpërngulura janë marrë nga iformatorët  nga viti 1975 e deri më 1980.

[10]  Ka edhe fshatra tjera me emrin Reçicë, randaj më duhet ta ceki sefjala është për Reçicën e Mavriqit të Llapit, jo për ndonjë re[icë tjetër.

[11]  Çdo shpatinë që është në ballë të veriut dhe të verilindjes, quhet hije sepse ka më shumë hije gjatë ditës sesa diell. Ndërkaq rreze quhet  shpatina që është në ballë të erës (jugut) dhe jugperëndimit, nga që ka diell më shumë gjatë ditës.

[12]  Kur  emri në trajtën e shquar njëjës mbaron me –i, nyja e mbiemrit të gjinisë mashkullore –i, nuk ndëgjohet  gjatë të të folurit. Për këtë arsye , ne e kemi vënë në kllapa, nga që duhet të jetë, por nuk dëgjohet në të shumtën e rasteve.

[13]  Lëmë, Lamë, vjen nga toponimia ilire. Eqrem Çabej në “Studime gjuhësore”, II, Prishtinë, f. 318. Fjala lame ka disa kuptime: 1. Vendin ku është shire drithi i bardhë, 2. vendi ku vehet ushqimi i bagëtive për dimër.  3. ka kuptimin fig. ku shkon diçka e pakuptueshme [për njerëzit. Lamë po shkojke! Pështjellim. Nuk e merr vesh qeni të zone.

[14] Në Llap, pra edhe në Mavriq, nuk dëgjohet i-ja, në mes j-së e t-së, prandaj shqiptohe –ujt` e jo ujit. Kështu, kemi edhe ujt`, që –ë-ja nuk dëgjohet, po as edhe nuk shqiptohet.