Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, e ka ftuar presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa, për vizitë në shtetin evropian për ta diskutuar dëbimin e qytetarëve sirianë me të kaluar kriminale në Gjermani, bëri të ditur të hënën udhëheqësi gjerman.
“Ne, natyrisht, do të vazhdojmë që t’i dëbojmë kriminelët në Siri. Ky është plani. Ne tani do ta zbatojmë këtë në një mënyrë shumë konkrete” – tha Merzi para gazetarëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gjermania gjithashtu dëshiron që ta përkrahë stabilizimin e Sirisë, tha ai, duke shtuar se synon që me presidentin sirian të diskutojë se “si mund ta zgjidhim këtë së bashku”.
Paraardhësja konservatore e Merzit, Angela Merkel, ishte në krye të një politike historike me dyer të hapura ndaj refugjatëve dhjetë vjet më parë, duke mirëpritur rreth 1 milion emigrantë në Gjermani, shumë prej tyre sirianë që po iknin nga lufta civile në vendin e tyre.
Që nga ajo kohë, mbështetja për të djathtën ekstreme është rritur dukshëm dhe partia konservatore CDU nën Merzin ka ndjekur një linjë shumë më të ashpër sa u përket sigurisë kufitare dhe migracionit, duke u zotuar se do ta përshpejtojë procesin e dëbimeve.
“Unë do ta them këtë përsëri: lufta civile në Siri ka përfunduar. Tani nuk ka më ndonjë arsye për azil në Gjermani” – tha kancelari Merz.
Që nga marrja e pushtetit nga ish-presidenti Bashar al-Assad në dhjetorin e vitit të kaluar, Sharaa ka zhvilluar një varg vizitash jashtë vendit, përderisa ekzekutivi kalimtar i tij po synon që t’i rivendosë lidhjet e Sirisë me fuqitë botërore, të cilat e kishin shpërfillur Damaskun gjatë regjimit të Assadit.






