Nxënësit e nivelit parauniversitar nga parashkollor deri në shkollën e mesme ka gjasa që vitin e ardhshëm shkollor të mësojnë me tekste të reja. Kështu ka rekomanduar Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore në një vendim që e ka nxjerrë javën e kaluar.

Aktualisht vetëm tekstet e parashkollorëve dhe të klasave 1, 2, 6, 7, 10, 11 janë botime të reja, kurse të niveleve të tjera janë të vjetra.


Sipas dokumentit që e ka siguruar KOHA, KEPTSH-i i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit që brenda 7 ditësh të shpallë konkurs për tekstet e të gjitha niveleve, përfshirë edhe ato për komunitetet.

KEPTSH-i ka konstatuar se botimi i teksteve të reja vitin e kaluar është shoqëruar me disa probleme. Ndër to përmenden paqartësitë procedurale rreth shpalljes së konkursit për tekste dhe konkursit për recensentët, procedurë jo e qartë për përzgjedhjen e recensentëve dhe punën e tyre.

Po ashtu, sipas Këshillit, tekstet shkollore nuk përputhen me Kornizën Kurrikulare dhe dokumentet përcjellëse dhe përmbajnë gabime të shumta përmbajtjesore e teknike.

“KEPTSH-i konstaton se pikat e mësipërme, dhe jo vetëm ato, kanë ndikuar në cilësinë e dobët të teksteve të reja shkollore. Prandaj, kjo situatë paraqet domosdoshmërinë që MASH-i të shpallë konkurs të ri për botim të të gjitha teksteve shkollore për vitin shkollor 2021-22”, thuhet në vendim.

E sipas drejtorit të shtëpisë botuese “Libri shkollor”, Bajram Shatri, MASH-i duhet patjetër të shpallë konkurs për tekste të të gjitha klasave meqë, siç shprehet, në konkursin e vitit të kaluar ka pasur shumë parregullsi.

Edhe drejtori i shtëpisë botuese “Luarasi”, Shukri Klinaku, vlerëson se vitin e ardhshëm duhet të ketë tekste të reja për të gjitha klasat, derisa kërkon nga Këshilli që procesi të jetë transparent.

mirëpres këtë vendim, sepse shqyrtimi i dy konkurseve të para ka qenë i mbytur në korrupsion dhe shkelje ligjore. Pa u eliminuar këto dukuri nuk ka tekste të mira shkollore”, ka thënë Klinaku.

Në MASH nuk kanë dhënë përgjigje se kur do të shpallet konkursi dhe nëse kanë mjete financiare që tekstet e të gjitha klasave t’i botojnë të reja.

Ministria e Arsimit vitin e kaluar kishte bërë të ditur se vetëm vlerësimi i teksteve të reja për parashkollorë dhe klasat 1, 2, 6, 7, 10, 11 ka kushtuar rreth 80 mijë euro. Ndërkaq botimi i tyre, sipas Komisionit parlamentar për arsim, kishte kushtuar afër 10 milionë euro.