Kuvendi i Komunës së Podujevës ka miratuar sot një vendim të përkohshëm për punën e bizneseve gjatë të dielave, raporton Llapi.info.
Në këtë mbledhje, e cila është mbajtur sot, është marrë vendim që deri më 30 shtator të këtij viti, të gjitha bizneseve në Podujevë, t’u lejohet puna.
Për këtë pikë të rendit të ditës, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se në jetën praktike, sipas tij, kjo rregullore ka shkaktuar një numër të madh të problemeve tek një pjesë e madhe e bizneseve, por edhe tek qytetarët të cilët kanë nevojë që ditëve të diela të marrin shërbime dhe të furnizohen.
“Vendimi juaj është i plotfuqishëm sepse është në dorën tuaj, por ne kemi ankesa të dyfishta nga njëra anë të ata të cilët dëshirojnë largimin e kësaj rregulloreje dhe nga ana tjetër me mbrojt të drejtën e tyre për të mos punuar ditën e diele. Jemi në prag të sezonës verore pjesën e Liqenit të Batllavës, por edhe pjesën tjetër të Kaqandollit që bizneset kanë nevojë të operojnë sepse qytetarët kanë nevojë për shërbime, këto biznese zhvillohen dhe mbijetojnë nga kjo sezon, ne jemi të interesuar t’i mbrojmë të drejtat e punëtorëve por kjo rregullore nuk i zgjidh të drejtat e punëtorëve dhe gjithashtu kjo rregullore nuk e obligon asnjërin që të punojë domosdoshmërish por është vullnetare. Ne mundemi të hartojmë një rregullore të gjithë bashkërisht, e cila do t’i zgjidh problemet e dy anshme, edhe të bizneseve por edhe të qytetarëve. Andaj ju bëj thirrje të përkrahni pezullimin e përkohshëm të kësaj rregulloreje deri në punimin e një rregulloreje e cila do jetë zgjidhje për të gjithë, ka shtuar Bulliqi.
Pas diskutimit të kësaj pike me përkrahjen e asamblistëve kjo rregullore u pezullua deri më 30 shtator./Llapi.info






