Në deklaratën qeveritare para Bundestagut të enjten, kancelarja gjermane u bëri thirrje gjermanëve për durim e disiplinë për të mos e humbur atë që është arritur. Gjermania është gati të paguajë shumë më të larta për BE.

Fjalimi i kancelares Angela Merkel të enjten në Bundestagun e rralluar për shkak të coronavirusit u ndërpre disa herë nga duartrokitjet.

Në krizën e coronavirusit ajo bëri thirrje që të mos hiqet dorë nga disiplina dhe durimi.

Shifrat e infeksioneve të reja janë në rrugën e duhur, por ky është një sukses i ndërmjetëm, tha Merkel.

“Pikërisht sepse shifrat të japin shpresë, ndjehem e detyruar të them, se ky rezultat i ndërmjetëm është i brishtë. Ne lëvizim në një shtresë të hollë akulli, mund të thuash edhe shumë të hollë akulli. Nuk jemi në fazën e fundit por të parë pandemisë”, tha Merkel.

“Kjo është e vërteta. Sidomos me përqendrim dhe durim në fillim mund të mënjanojmë që të kalojmë nga një shutdown në tjetrin apo të izolojmë grupe njerëzish me maj e të jetojmë me gjendje të tmerrshme në spitalet tona”, ka thënë më tej Merkel.

Në fjalimin e saj Merkel theksoi, se nuk ka pasur vendim më të vështirë në mandatin e saj si kancelare, se sa ai që mori për sakrifikimin e disa të drejtave e lirive personale.

Kjo pandemi është një mbingarkesë për demokracinë, u shpreh Merkel. Por kufizime të forta janë të nevojshme.

Ato, sipas saj, janë të nevojshme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu.

Merkel kritikoi landet gjermane që pas ujdisë mes federatës e landeve ndoqën secili rrugën e vet, si për shembull në drejtim të mbajtjes së detyruar të maskës.

Europa – fati ynë i përbashkët

Europa dhe kriza në të cilën po i fut coronavirusi vendet e Bashkimit Europian ishte po ashtu në fokus të fjalimit të kancelares gjermane.

Merkel tha, se në dy vitet e ardhshme do jenë të nevojshme shuma më të mëdha në buxhetin europian që edhe vendet e tjera të rimëkëmben.

Programet ekonomike do të duhet të japin impulse për ekonominë europiane.

Ne jemi një bashkësi që na lidh fati i përbashkët e duhet ta tregojmë këtë këto ditë të pandemisë.

“Europa nuk është Europa nëse nuk e kupton veten si Europë e nëse nuk ndihmon në raste emergjente”, theksoi Merkel. “Nuk duhet të kemi iluzione, do jetë një periudhë e gjatë e vështirë”.

Merkel u shpreh kundër borxheve të përbashkëta në BE për përballimin e krizës. Edhe sikur të jetë vullneti politik, për këtë duhet të vendosin parlamentet e shteteve anëtare për dhënien e një pjese të kompetencave buxhetore të BE. Por “ky do të ishte një proces që kërkon shumë kohë dhe jo një proces që ndihmon drejtpërdrejt në situatën aktuale”. /DW/