Pak ditë pas themelimit të Fondit të Sigurisë nga Qeveria e Kosovës, disa qytetarë kanë filluar dhurimin e mjeteve për forcimin e Ushtrisë së Kosovës, shkruan Llapi.info.
Këtë iniciativë që të dhurohen këto mjete për forcimin e Ushtrisë së Kosovës e shprehën fillimisht disa mërgimtarë nga Podujeva.
Ndër të parët për gatishmëri për t’i dhuruar mijëra euro ka qenë edhe Nexhmi Zeqiri nga fshati Katunishtë, e që jeton në Zvicër.
Gatishmërinë për dhurimin e 10 mijë eurove, Zeqiri e ka konkretizuar menjëherë pas publikimit të xhirollogarisë nga institucionet e Qeverisë së Kosovës. Këtë e dëshmon edhe faturën që ka arritur ta sigurojë Llapi.info.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky fond është themeluar bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.
Paratë e mbledhura në këtë fond, sipas Qeverisë së Kosovës, do të shkojnë si buxhet shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes./Llapi.info







