Perëndeshat binjake të pushtimit të lodhjes pas drekës janë kafeina dhe sheqeri. Por efekti i tyre është i përkohshëm: ndërsa një kafe latte do t’ju mbushë energji deri në darkë, ajo edhe do të mund t’ju lërë zgjuar deri në orën 3 të mëngjesit. Por a ekziston ndonjë mënyrë për të gjeneruar më shumë energji, që nuk është e pashëndetshme dhe prej së cilës nuk krijohet varësi apo nuk kushton, është e shtrenjtë? Ekspertët kanë disa sugjerime në këtë drejtim.

Lëvizni

“Ushtroni për t’u kënaqur, jo për ta dënuar veten”, ka thënë Sarah Russell, specialiste e ushtrimeve, e cila punon me personat që vuajnë nga kanceri. “Gjeni mënyra për të lëvizur, që ju japin energji, por mos ushtroni për ta lodhur veten”.

Për ta gjetur motivin për të lëvizur, edhe kur ndiheni keq, Russell ka inkurajuar klientët e saj që të përqendrohen në qëllime të arritshme.

“Madje edhe 10 minuta lëvizje do t’ju japin energji”, ka thënë ajo. “Largoni ato imazhe që industria e fitnesit po mundohet t’ua shesë, me njerëz që ngrenë pesha apo vrapojnë. Bëni disa zgjatje, nëse ju pëlqejnë më shumë, sepse më mirë është pak sesa fare – dhe gjithmonë do të nxiteni të bëni më shumë”.

Karbohidratet janë miqtë tuaj

“Arsyeja kryesore pse njerëzit nuk kanë shumë energji është për shkak se nuk hanë mjaftueshëm gjatë ditës apo nuk hanë mjaftueshëm karbohidrate”, ka thënë Priya Tew, nutricioniste. Për dallim prej asaj çfarë thonë dietat, karbohidratet nuk janë armiq.

“Karbohidratet na e sigurojnë glukozën, e cila është burimi i parapëlqyer i energjisë për trupin”, ka thënë Tew. “Doni ta balanconi energjinë që e merrni nga karbohidratet, duke ngrënë proteina dhe yndyra të shëndetshme, pasi që kjo ju ndihmon që t’i stabilizoni nivelet e energjisë, duke ju dhënë më shumë energji që do të zgjasë gjatë tërë ditës”.

Kontrollojeni nivelin e hekurit

Mungesa e hekurit, e njohur si anemia, mund të shkaktojë simptoma si plogështia, mungesa e energjisë dhe frymëmarrja e vështirësuar. Është më e zakonshme te gratë, zakonisht për shkak të ciklit menstrual të gjatë apo shtatzënisë, dhe mund të trajtohet duke e ndryshuar dietën. Konsumoni më shumë perime me fleta të gjelbra, drithëra me hekur dhe nëse është e nevojshme edhe tableta me hekur.

“Është gjithmonë ide e mirë që të bëni kontrolle te mjeku për nivelin e hekurit, nëse ndiheni të lodhur”, ka thënë Tew.

Kontrollojeni edhe vitaminën D

“Shenja e parë e mungesës së vitaminës D mund të jetë plogështia”, ka thënë Tew. “Kështu që përdorni tableta të vitaminës D nëse ju duket se keni mungesë të saj”.

Në prill të vitit 2020, Shërbimi i Shëndetit Publik në Britani të Madhe ka rekomanduar britanikët që çdo ditë të marrin një dozë të suplementit të vitaminës D, pasi që njerëzit kohëve të fundit i janë ekspozuar më pak diellit si pasojë e izolimit shkaku i pandemisë.

Kujdes me sheqerin

Ushqimet e ëmbla funksionojnë: është e vërtetë pas konsumimit të tyre ndiheni më të kthjellët. Por një petull e konsumuar në ditë nuk e mban mjekun larg.

“Ushqimet me shumë sheqer ua shtojnë energjinë përnjëherë, por niveli i energjisë do të bjerë shumë shpejt”, ka thënë Tew.

Përqendrohuni te konsumimi i ushqimeve më të balancuara dhe ushqimeve të pasura me fibra, si dhe te konsumimi i karbohidrateve, proteinave, pemëve dhe perimeve, por edhe të yndyrave të shëndetshme”, ka thënë Tew.

Ajo ka rekomanduar shmangien prej përdorimit të alkoolit.

“Do të ndikojë që të ndiheni të lodhur të nesërmen, përderisa trupi mundohet ta ripërpunojë”, ka thënë Tew.

Dilni jashtë

Një studim i kryer nga Universiteti i Rochesterit, i publikuar në revistën shkencore “Journal of Environmental Psychology”, ka zbuluar se koha e kaluar në natyrë mund të ketë efekt të madh në të mirë të shëndetit.

“Kur njerëzit ecin në natyrë, shtohet vitaliteti dhe energjia”, ka thënë profesori Richard M Ryan, nga ky universitet. “Kjo gjendje më e lumtur zgjat më gjatë dhe ka efekt më të fortë sesa konsumimi i kafesë apo çokolatës”.

Më e rëndësishmja, ka shtuar ai, është se duhet të lidheni me natyrën kur ecni.

“Nuk duhet të rrini në telefon”, ka thënë Ryan. “Duhet ta lini veten që të zhyteni në botën përreth jush”. Por nuk ka nevojë që të ecni shumë – vetëm 10 minuta do të kenë efekt rinovues për orë të tëra.

“Kur ndihemi të lodhur, kërkojmë kafe”, ka thënë Ryan. “Por mënyra e mirë për t’u shërbyer ajo, është duke dalë jashtë dhe duke e shijuar natyrën”.

Mos shkoni pavullnetshëm në palestër

“Njerëzit zakonisht tregohen të vrazhdë me veten, kur ju duket se nuk po bëjnë mjaftueshëm ushtrime”, ka thënë Russell. “Dhe në fund nuk bëjnë gjë”.

Më së miri është që njerëzit t’i përmbahen një plani të qëndrueshëm, ka rekomanduar ai.

“Nëse njerëzit e kanë të vështirë që ta gjejnë energjinë për të ushtruar, atëherë krijohet një rreth vicioz”, ka thënë Russell. “Ata humbin më shumë muskuj dhe nuk janë më aktivë”.

Russell ka rekomanduar gjithashtu që ushtrimet të bëhen në shtëpi, duke përdorur pesha të vogla. Ushtrimet pilates janë gjithashtu mënyrë e mirë për të gjeneruar energji, pa pasur nevojë për të blerë pajisje të shtrenjta. Mbi të gjitha, sipas Russellit, duhet gjetur ushtrimet që ju përshtaten.