Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, është shprehur i shqetësuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, mund të çojë në formimin e një Republika Srpska.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u paraqit të mërkurën para Nënkomitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku foli për angazhimin dhe strategjinë e Washingtonit në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë kësaj paraqitjeje pati debate edhe për Kosovën dhe dialogun në përgjithësi.
Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-së, Bob Menendez, që është një mik i shqiptarëve, kritikoi Escobarin për presionin që po i bëhet Kosovës me Asociacionin.
“Ju po i bëni presion Kosovës që të implementoj një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, përkundër faktit që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur disa pa përputhshmëri të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për këtë asociacion. Unë mendoj se kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk duhet të bëjmë edhe një tjetër Republika Srpska, dhe nuk duhet assesi të dëmtojmë sovranitetin e Kosovës… Përkundrazi presioni duhet të jetë mbi Serbinë që të njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”.
Nga ana tjetër Escobar tha se mendon që kjo gjë nuk do të ndodhë.
Kosovë-Serbi: Të dyja palët janë të barabarta, besojmë se marrëveshje duhet të përqendrohet në njohjen reciproke
“Ne e mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët veçse janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pjesë nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jo kushtetues. Në kontekstin e dialogut, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej. Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republika Sërpskan, por ne i kemi bërë thirrje, dhe homologu im Lajçak i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të shikojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme që nuk do të minojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e tyre”, deklaroi Escobar.
Kujtojmë se Bob Menendez është mik i madh i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane thotë se fjalimi i sotëm i Mendez është punë e një lobimi të tyre. /Telegrafi/