Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka qëndruar për vizitë sot në Podujevë, ku edhe i ka ofruar mbështetje kandidates së kësaj partie për kryetare të kësaj Komune, Floretë Zejnullahu, shkruan Llapi.info.

Krasniqi, në një postim në Facebook, duke kritikuar qeverisjet e kaluar, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), sipas tij, është e vendosur të sjellë ndryshimin në Podujevë.

“Komuna e Podujevës, që nga paslufta nuk ka qenë kurrë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj, sepse është qeverisur nga burra pa parime që prioritet i kanë pasur interesat personale e partiake. Partia Demokratike e Kosovës është tejet e vendosur që të sjellë ndryshim në Podujevë. Këtë ndryshim e kemi filluar duke e kandiduar për Kryetare të Komunës Floretë Zejnullahun, një kandidate e re në moshë, por me pjekuri e maturi politike të dëshmuar si deputete e Kuvendit të Kosovës në dy legjislatura dhe si asambliste e zëshme në Kuvendin Komunal të Podujevës. Floreta do t’i ofrojë Podujevës dhe qytetarëve të saj, pa dallim, një qeverisje transformuese, të përgjegjshme, të ndershme e të dinjitetshme. Më 17 tetor, llapjanët do të votojnë për ndryshim, për ndryshimin që do ta sjellë Floreta bashkë me qytetarët në katër vitet e ardhshme, për t’i dhënë Podujevës qeverisjen që e meriton”, ka shkruar ai./Llapi.info