Lokale - eSIMy

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar si të paaftë, jokompetente dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, qeverisjen një vjeçare të Albin Kurtit. Në një konferencë për media, Krasniqi tha se karakteristika themelore e kësaj qeverie është kostoja që ka prodhuar për qytetarët e Kosovës.

I pari i PDK-së theksoi se Kosova për një bit qeverisje nga Kurti nuk figuron as në hartën e investimeve strategjike.

“Ajo çfarë e karakterizon paaftësinë e kësaj qeverie, nuk është thjeshtë përformanca e dobët në realizimin e objektivave të saj. Karakteristika themelore e kësaj qeverie të paaftë, është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës. Si rezultat i kësaj paaftësie, Republika e Kosovës për një vit qeverisje të Kryeministrit Kurti, nuk figuron as në hartën e investimeve strategjike, as në hartën e rëndësisë politike rajonale, e as në hartën e partneritetit të qëndrueshëm me partnerët dhe aleatët strategjik të Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas Krasniqit, në Kosovë qytetarët e Kosovës kanë filluar të mos shohin më as të ardhme e as në atdheun e tyre.

“Programi i qeverisë Kurti përgjithësisht ka qenë një lojë fjalësh. Aty ku nuk ka qenë lojë fjalësh, ka qenë kopje planesh. Aty ku nuk ka qenë kopje planesh, ka qenë nocione librash. Por program të qëndrueshëm që vendosë hapa konkret për zhvillim ekonomik, për rend dhe ligj, për punësim, për integrim e mirëqenie, nuk ka pasur.”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ka vetëm disa elemente programore, të cilat në fakt, sot na shërbejnë më së miri për ta parë e për ta matur paaftësinë e kësaj qeverie në zbatimin e programit.

Ai ka përmendur edhe themelimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, që sipas tij sot nuk është as në agjendë.

“Ka premtuar themelim të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Sot nuk është në agjendë. Në vend të kësaj mund të flasim vetëm për keqmenaxhimin e pandemisë, për shkurtimin e buxhetit për shëndetësi në kohë pandemie, për kontrata të dyshimta dhe për mungesë strategjie e vizioni për shëndetësi. Ka dështuar në ekonomi, ku sot numri i të papunëve është rritur shumë, numri i të papunëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë largimin nga Kosova është rritur jashtëzakonisht shumë, çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë, ndërsa të vetmet që s’janë rritur janë prodhimi, eksporti dhe punësimi dhe pagat.”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, kryetari i PDK-së përmendi edhe shifrat e qytetarëve që janë duke pritur terminë për viza, për t’u larguar nga Kosova.

Krasniqi ka përmendur edhe siç tha ai, dështimet e kësaj Qeverie në në depolitizim të institucioneve, realizimin e vetingut në drejtësi e prokurori, polici dhe inteligjencë, zbatimin e programit për banim të përballueshëm, themelimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore, ndërmarrjen e hapave konkret për caktimin e pagës minimale, rritjen flagrante të energjisë dhe çmimeve etj.

Sipas Krasniqit, kryeministri Kurti ka ardhë në pushtet duke e shtruar politikën si ngjarje transformuese, teksa shtoi se Kurti është konvertuar në një politikan procedural pa kurrfarë vizioni politik e shtet ndërtues.

Krasniqi ka numëruar edhe dështimin e Kurtit në procesin e dialogut. Ai tha se Kurti po rrezikon që të realizoj Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërkaq e ka quajtur skandaloze politikën e jashtme.

“Një vit i plotë, kur asnjë hap, as vendim, as veprim, as lobim nuk është ndërmarrë, qoftë për njohje të reja të shtetit të Kosovës, qoftë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.”, ka thënë Krasniqi.