Lokale - eSIMy

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se mosndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, e ka lënë Kosovën pa liberalizim të vizave.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka shtuar se klasa politike në Kosovë nuk e thotë këtë sepse është përfshirë në korrupsion.

“Ne kemi një problem – gjithmonë e gjejmë fajtorin aty ku nuk jemi vet”.

“Bashkimi Evropian ka artikuluar disa kërkesa që ne nuk i themi hapur: krimi i organizuar dhe korrupsioni”.

“Holanda dhe Franca thonë se nuk i keni plotësuar kushtet dhe ka rrethana tjera të cilat ne vet nuk i sqarojmë si duhet”.

“Shpjegimi për punën e vizave është se pesë shtete të BE-së nuk na kanë njohur Kosovën – ato çdoherë mund të kërkojnë kushte shtesë. E vërteta është se mosndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit na ka lënë pa viza”.

“Ne do të duhej të ishim serioz që punët tona t’i kryenim si duhet. Pastaj do të mund të thoshim se ne i kemi ndëshkuar emrat e përvetshëm të korrupsionit”.

“Klasa jonë politike duhet të jetë aq e ndershme dhe të thotë se ne kemi bërë përpjekjet tona, por problemi është ky”.

“Por nuk e thonë sepse vet klasa politike është e përfshirë në korrupsion”.