Çmimet e naftës u rritën të martën në nivelet më të larta në gati pesë muaj, teksa tregtarët e energjisë përgatiten për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit Izrael-Iran.

Rritja e çmimit të naftës u përshpejtua teksa presidenti amrikan, Donald Trump përgatitej të takohej me zyrtarët e sigurisë kombëtare në Sallën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë. Dy zyrtarë i thanë CNN se Trump po bëhet gjithnjë e më i hapur ndaj përdorimit të aseteve ushtarake amerikane për të goditur objektet bërthamore iraniane.

Kontratat e ardhshme të naftës amerikane u rritën me 4.3% me çmim prej 74.84 dollarë – çmimi më i lartë mbyllës që nga 22 janari. Nafta bruto është rritur me 23% deri më tani këtë muaj, një ndryshim që tashmë po rrit çmimet e benzinës.

Nafta bruto Brent, u rrit me më shumë se 4% të martën.

Shqetësimet në lidhje me Ngushticën e Hormuzit, pika më kritike e transportit të naftës në planet, u përforcuan nga një përplasje midis dy cisternave të naftës në Gjirin e Omanit. Incidenti është nën hetim, por Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar fajësoi problemet “që lidhen me navigimin”.

“Përplasja dhe zjarri që pasoi duket se kanë ngritur shqetësime se situata mund të dalë jashtë kontrollit në rrugën më të ngarkuar të transportit të naftës në botë”, shkroi në një raport të martën Robert Yawger, drejtor i kontratave të ardhshme të energjisë në Mizuho Securities.

Megjithatë, Yawger vuri në dukje se Ngushtica e Hormuzit nuk është mbyllur kurrë, as gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980.