Pallati i Elyseé sot edhe zyrtarisht ka paralajmëruar vizitën e kryetarit të Francës, Emmanuel Macron, në Serbi më 5 e 6 dhjetor, transmeton Koha.net.

Disa gazeta shkruajnë se qëllimi i vizitës është fuqizimi i marrëdhënieve ndërmjet Parisit e Beogradit.

Kështu gazeta “20 minutes”, siç përcjell b92, thekson se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë përkeqësuar më 1 nëntor të këtij viti në ceremoninë për shënimin 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore për shkak të lëshimeve në protokoll (edhe për shkak të vënies së Flamurit të Kosovës në Kishën Notre Dame, sqarim i Koha.net) dhe shtohet se pas kësaj shumë serbë e “kanë kundërshtuar vizitën e Macronit në Beograd”.

Shumë serbë, shkruan kjo gazetë, pas kësaj ngjarjeje kanë theksuar se vendi i tyre, në raport me banorët, në Luftën e Parë Botërore ka pasur më së shumti viktima duke luftuar para së gjitha krah për krah me francezët në Fontin Lindor.

Në tekst theksohet se edhe refuzimi i Francës në vitin 2017 që ta dorëzojë në Beograd Ramush Haradinajn të akuzuar nga jurisprudenca serbe për “krime të luftës” në vitet 1998 – 1999, “te serbët tashmë kishte zgjuar ndjenja antifranceze, sado që në masë të vogël”.

Shtohet se shumë serbë nuk ia kanë falur Francës pse ka marrë pjesë në fushatën ajrore perëndimore në vitin 1999 që i dha fund luftës në Kosovë dhe largimi i forcave serbe nga Kosova.

“Ky operacion me në krye NATO-n mbetet nënçmim i madh për shumë serbë. Kjo ftohje në marrëdhënie është përthyer edhe në dobësimin e lidhjeve ekonomike”, vlerëson gazeta st.

Përkujtohet se kjo është vizita e parë e një kryetari francez që nga qëndrimi i Jacque Chirac në Serbi në vitin 2001, disa muaj pas rrëzimit të Slobodan Milosheviqit.

Gazeta La Croix, po ashtu, paralajmëron vizitën e Macronit në Serbi gjatë së cilës pritet të bisedohet edhe për mospajtimet e Kosovës e të Serbisë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

Një artikull të veçantë rreth kësaj vizite e ka publikuar edhe agjencia franceze e lajmeve AFP.