Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka kritikuar ashpër Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), derisa gjatë mbrëmjes të së hënës, kreu i AAK-së i ka quajtur zyrtarët e kësaj partie si “hajna të prontos”.

Analisti politik, Shemsi Jashari duke komentuar këtë deklaratë të ish-kreut të Qeverisë, ka thënë se ka qenë pikërisht PDK-ja, e cila sipas tij, që i ka mundësuar Haradinajt të bëhet kryeminisër.

“Qëndrimi i Haradinajt në një emision televiziv ka qenë paksa befasues dhe mendoj jo shumë i drejtë, kur hedhë akuza drejt ish partnerit të tij PDK-së, sepse ishte PDK ajo që e i mundësoi Haradinaj të bëhet kryeministër, duke e nominuar si kandidat me një marrëveshje parazgjedhore. Akuzat për hajni nuk janë të panjohura as për AAK-në, prandaj kur vinë nga një personalitet si Haradinaj, janë paksa të çuditshme”, ka thënë Jashari.

“Deklarimi i PDK-së se nuk jap votë për kandidat tjetër përveç atij që ajo e propozon, jo domosdoshmërish duhet të shikohen si qëndrim kundër Haradinaj por si mbrojtje e interesit partiak të vetë PDK-së. Deklarimi i mbrëmshëm i .Haradinajt mendoj se e ka bërë të qartë se vendi do të shkojë në zgjedhje, pasi shihet se ai ka marr përgjigjen përfundimtare “JO” për ta marr mbështetjen e PDK-së për president. Retorika e përdorur nga Haradinaj, ngjan retorikës se fushatave zgjedhore ku zakonisht sulmohet PDK-ja, herë me të drejtë e shpesh edhe pa të drejtë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar mbërëm ashpër PDK-në.

“Këta që po thonë Ramushi le të na kthej borxhin, i kam nxjerrë nga opozita. Më ka sharë një Kosovë që jam bërë me hajnat e ‘Prontos’. I kam nxjerrë nga opozita dhe i kam pru në pushtet. Kur i kam pru në pushtet janë munduar çdo ditë të më rrëzojnë pasi që kam ngulur këmbë për njëfarë takse. Janë njerëzit e njëjtë që e kanë themeluar Gjykatën Speciale”, kishte thënë ai./