Lokale - eSIMy

Gjilan- I dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit Arben Jerliu, deklaroi se zyrtari policor Sabit Azizi e kishte goditur dy herë në brinjë ana e majtë, kurse zyrtari policor Fatlum Zenuni e kishte goditur një herë në të njëjtën anë.

Këtë deklarim, Jerliu e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi“.

I dëmtuari- dëshmitari Jerliu tha se në ditën kritike së bashku me shokët Hakiun dhe Valonin sapo kishin dalë nga një kafene dhe para hotel “Kristal” dhe kishin qenë dy zyrtarë policorë, ku polici Fatlum i ishte kthyer me fjalë banale dhe duke i thënë se “çka po më këqyr shtrembët”.

Jerliu shtoi se të akuzuarit ua kishin kërkuar letërnjoftimin, por që nuk e kishte pasur me vete andaj edhe i kishin dërguar në stacionin policor për verifikim.

Sipas tij, në stacion policor i kishin thënë zyrtarët policorë “ta ajna kryt”, pastaj tutje thotë se i akuzuari Sabit kishte thënë “mos u bo mangup se na mangupa jena vet”.

“Më ka fut Sabiti te dera e në stacion, duke e mbyll derën më ka godit në krah me boks, dy herë më ka godit me boks parë Sabiti, ndërsa më pas ka hy Fatlumi kishe me na nda, por edhe ai më ka godit një herë”, tha i dëmtuari Jerliu.

Tutje, i dëmtuari Jerliu tha se e kishin marrë dy zyrtarë të tjerë policorë dhe i kishin thënë “leje hiqu tyne se këta të rinjtë nuk po marrin vesh”.

Jerliu theksoi se pas këtij rasti nuk kishte pasur asnjë kontakt me të akuzuarit deri në konfirmimin e gjykatës, kur iu kishte ardhë ftesa, pastaj e kishin telefonuar në telefon persona të ndryshëm lidhur me heqjen dorë nga ankesa, po ashtu shtoi se i kishin ofruar edhe para.

Po ashtu, i dëmtuari shtoi se kishte kërkuar ndihmë mjekësore në emergjencë për shkak të dhimbjeve që i kishte pasur nga goditjet.

Tutje, seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Shpresa Hasani, zyrtare e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), e cila tha se në bazë të procedurave pranojnë ankesa nga qytetarët për zyrtarë policorë, e një prej ankesave kishte qenë ankesa e Arbenit për të cilën ishte caktuar hetuese.

E njëjta shtoi se gjatë intervistimit, Arbeni i kishte treguar se si kishte ndodhur rasti, por që nuk kishte parë ndonjë shenjë të dukshme, mirëpo i njëjti i kishte prezantuar raportet mjekësore.

Dëshmitarja Hasani tha se lidhur me këtë çështje kishte përpiluar kallëzimin penal në bazë të gjitha veprimeve të marra, siç janë intervistimet e ankuesit, dëshmitarëve, të dyshuarve si dhe video-incizimeve nga stacioni policor në Gjilan.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Valon Osmani, i cili tha se në ditën kritike së bashku më Arbenin dhe Hakiun në rrugë tek hotel “Kristali”, dy zyrtarë policorë iu kishin drejtuar Arbenit “Pse po më këqyr shtrembët”.

Dëshmitari Osmani tha se Arbenin, zyrtarët policorë e kishin tërhequr me forcë dhe e kishin futur në njërën prej zyrave në anën e majtë të korridorit.

I njëjti vazhdoi deklaratën e tij duke thënë se kur kishte dalë jashtë Arbeni kishte thënë që e kanë rrahur.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Haki Mushica, i cili tha se në ditën kritike janë ndaluar nga dy zyrtarë policorë.

Dëshmitari Mushica tha se të njëjtit i kanë dërguar në stacionin policor, ku Arbenin e kishin marrë me forcë dhe e kanë futur në një zyrë vetëm atë.

I njëjti shtoi se pasi kishte dalë nga zyra Arbeni, kishte qenë duke i mbajtur brinjët në anën e majtë me dorën e djathtë, duke thënë se e kishin rrahur policia.

“Para se me marrë zyrtarët policorë Arbenin, njëri prej tyre i kishte thënë Arbenit a e din që ta aji kryt”, tha dëshmitari Mushica.

Tutje, pas dëgjimit të dëshmitarëve, seanca gjyqësore ka vazhduar me leximin e shkresave të lëndës dhe shikimin e video-incizimeve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sabit Azizi, avokati Sevdail Robelli ka kërkuar nga gjykata që seanca e sotme të ndërprehet, me arsyetimin se ka një çështje të rëndësishme private dhe nuk mund të vazhdojë më tutje.

Prokurori Halim Borovci ka deklaruar se pajtohet me çfarëdo vendimi që merr gjykata, ndërsa i dëmtuari e ka kundërshtuar propozimin e mbrojtësit të tij me arsyetimin se nuk mund të jetë prezent në seancat e ardhshme.

Gjyqtari Behar Ymeri ka aprovuar propozimin e mbrojtjes për shtyrje të seancës, duke e caktuar seancën e radhës më 14 korrik 2022.

Sipas aktakuzës më 22 korrik 2020, të pandehurit Sabit Azizi dhe Fatlum Zenuni, derisa po kryenin detyrat e tyre zyrtare si oficerë policie të Njësisë së Reagimit të Shpejtë të SP-së në Gjilan, duke e keqpërdorur detyrën zyrtare kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Arben Jerliu dhe kanë fyer dinjitetin e tij, në atë mënyrë që e kanë ndaluar të dëmtuarin dhe shokët e tij Haki Mushica dhe Valon Osmani, për mosmbajtjen e maskave dhe i kanë shoqëruar në Stacionin Policor të Gjilanit.

Në aktakuzë thuhet se pas një debati, oficeri i policisë, i pandehuri Sabit Azizi e ka kapur për krahu te dëmtuarin Arben Jerliu dhe e ka futur në zyrë, pastaj e ka goditur me grusht tre herë në brinjën e majtë dhe pas një kohe të shkurtër, oficeri i policisë Fatlum Zenuni ka hyrë në zyrë dhe e goditur të dëmtuarin një herë në brinjën e majtë, në këtë mënyrë i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Arben Jerliu në formën e ndrydhjeve të indeve të buta në regjionin e gjoksit në anën e majtë.

Me çka, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195. par.1 KPRK, e dënueshme me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.