Lokale - eSIMy

Nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së sot gjatë ditës janë organizuar aktivitete të ndryshme në shënim të Ditës së Dëshmorëve – 5 Majit në Komunën e Podujevës.

Në ditën e dëshmorëve kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me nënkryetaren, Marigona Lahu, kryesuesin e kuvendit, Hilmi Hoxha, Komandantin e Stacionit të Policisë, Nijazi Jashari, deputetë, drejtorë dhe asamblistë komunal, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së dhe familje të dëshmorëve kanë bërë homazhe për nder të ditës së dëshmorëve.

Shënimi i kësaj dite u hap me ekspozitë të fotografive të dëshmorëve në shesh, për të vazhduar me vendosjen e luleve të freskëta dhe homazhe para shtatores së Katër Dëshmorëve në sheshin e qytetit, tek busti i Ali Ajetit, “Kompleksi Memorial Zahir Pajaziti” në Orllan dhe tek “Kompleksi Memorial Baza e Parë e UÇK-së” në Lladoc.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite po zhvillohet edhe aksioni për Dhurimin e Gjakut në sheshin e qytetit.

Kryetari Bulliqi tha se kujtimi për dëshmorët do të jetë gjithmonë i freskët dhe me nderimet më të larta do t’i kutjojmë e nderojmë për veprën heroike dhe sakrificën e jashtëzakonshme që kanë bërë, duke luftuar deri në frymën e fundit për lirinë e Kosovës.