Këshilltarja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës-dega në Podujevë, Floretë Zejnulluahu e ka quajtur abuzim me pushtetin, mbylljen e një segmenti në rrugën e qendrës së Podujevës, njofton Llapi.info
Zejnullahu në seancën e Kuvendit të Podujevës, mbylljen e rrugës e ka cilësuar si të habitshme, pasi që sipas saj, para një viti është bërë rishtresimi me asfalt.
“Mbyllja e rrugës së qendrës të qytetit, konkretisht një segment i rrugës ‘Zahir Pajaziti’, për shkak të punimeve që janë duke u bërë në atë pjesë. Është e habitshme sesi para një viti autoritetet e Komunës bëjnë rregullimin e kësaj rruge, duke e rishtresuar me asfalt, e tash pas një viti fillojnë ta prishin dhe vendosin gypat e kanalizimit atmosferik.
Tek tash duhet të bëhet ndërrimi i kanalizimit. A kemi para të tepruara që të investojmë pa asnjë plan konkret, apo kur e keni bërë rishtresimin ka qenë kohë fushate, saktësisht tre ditë para zgjedhjeve lokale. Prandaj kjo udhëheqje tregon se prioritet e ka abuzimin me pushtetin, keqmenaxhimin me paranë publike të cilat asnjëherë nuk i përdorë për interesa të qytetarëve, por vetëm për vota”, ka thënë ajo, transmeton Llapi.info
Më tej, Zejnullahu ka kritikuar ekzekutivin edhe me punimet në rrugën e re buzë lumit Llap. Sipas saj, ajo rrugë nuk ka plan urbanistik pasi që rruga është e ngushtë.
“Kërkojmë përgjegjësi nga Komuna për abuzimin me paranë publike, dhe kërkojmë nga organet kompetente të ndërmarrin masa për keqpërdorim të parasë publike. Rruga e re te lumi Llap është dashur të jetë më katër korsi, e jo me dy siç është duke u bërë, e dy vite më vonë të bëhet zgjerimi i saj kur edhe është koha e zgjedhjeve. Kjo tregon se nuk ka plan urbanistik dhe një vizon të qartë për zhvillim urbanistik të qytetit”, ka thënë ajo.
Kujtojmë, kritika të shumta në lidhje me mbylljen e rrugës në qendër të Podujevës në këtë kohë, ka dhënë Fitim Haziri nga LVV.
Sipas tij, punimet në këtë rrugë është dashur të fillojnë në vitin 2017, e jo tani kur edhe ka reshje atmosferike.
“Projekti në fjalë ka qenë i gatshëm që në vitin 2017, po të kishte vullnetin dhe dëshirën Veliu do mund t’i fillonte punimet qysh në fillim të vitit 2018, por e ka zgjedhur kohën e nëntorit kur fillojnë të reshurat e shiut dhe borës, të cilat e pamundësojnë realizimin e këtij projekti”, ka thënë Haziri./Llapi.info