Prishtinë, 24 prill – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, reagon ndaj deklaratës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z.Albin Kurti, i cili gjatë ditës së djeshme në një tubim me qytetarët e Komunës së Klinës kishte hedhur akuza ndaj sekretarit të përgjithshëm të MBPZHR-së, z.Kapllan Halimi, dhe kreyeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, z.Ekrem Gjokaj, në të cilën deklaratë kishte shumë pasaktësi dhe të pavërteta, duke keqinformuar kështu publikun e gjerë me akuza ndaj këtyre dy zyrtarëve të MBPZHR-së dhe AZHB-së.

Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve, MBPZHR-ja sqaron se mbështetjen e sektorit të bujqësisë e realizon në kuadër të dy programeve, Programit për zhvillim rural, dhe Programit për pagesa direkte – subvencione, të cilat hartohen duke u bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 03/L-098, si dhe Plotësim-ndryshimit të Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 04/L-090 dhe udhëzimeve administrative.

I gjithë procesi për mbështetjen e fermerëve në kuadër të këtyre programeve, që nga shpalljet e thirrjeve, si dhe vlerësimi i të gjitha aplikacioneve për grante dhe subvencione bëhet bazuar në dokumentacionin, procedurat dhe kriteret e parapara me program, të cilat çdo vit publikohen në faqen e Ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Po ashtu, AZHB-ja bën informimin e fermerëve përmes sms-ve dhe vendimeve me e-mail, si dhe përmes ueb-faqes së AZHB-së për rezultatet lidhur me procesin.

Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve, MBPZHR-ja njofton se viteve të fundit ka rënë edhe numri i ankesave të fermerëve të adresuara në MBPZHR dhe AZHB lidhur me procesin e përfitimit të subvencioneve. Në vitin 2017 ishin ankuar gjithsej 318 fermerë, ndërkaq në vitin 2018 janë ankuar gjithsej 186 fermerë.

Po ashtu sqarojmë opinionin publik se MBPZHR-ja është e hapur gjatë gjithë kohës në shërbim të fermerëve dhe palëve të tjera me interes duke përfshirë edhe shoqërinë civile, dhe kjo është dëshmuar edhe vitin e kaluar kur fillimin e procesit të vlerësimit të aplikacioneve të granteve, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë e ka bërë live para mediave dhe shoqërisë civile, gjë që nuk është bërë më parë.

Krahas kësaj, të gjitha listat e përfituese të subvencioneve dhe granteve investive çdo vit bëhen publike në web faqen e ministrisë dhe AZHB-së, në të cilat lista kanë qasje të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

MBPZHR-ja mbetet e përkushtuar për rritjen e transparencës me qëllim të informimit të publikut dhe si Ministri e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i bëjmë thirrje z.Kurti por edhe fermerëve dhe qytetarëve të tjerë se nëse kanë ndonjë pakënaqësi ose hasin në parregullësi t’u drejtohen organeve të drejtësisë në Republikën e Kosovës, përfundon reagimi.