Pas situatës së krijuar nga vërshimet në Komunën e Podujevës sot është mbajtur mbledhja e Shtabit Emergjent, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.

Mbledhjen e udhëhoqi kryesuesja e shtabit, nënkryetarja e komunës, Marigona Lahu, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Stacioni Policor në Podujevë, QKMF-ja dhe anëtarët e tjerë të shtabit nga dikasteret e komunës.

Për situatën e krijuar nga vërshimet foli drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi i cili raportoi për gjendjen e përgjithshme në teren, zonat më të prekura dhe vendet se ku ka intervenuar komuna.

Drejtori Selimi tregoi se janë angazhuar 5 kompani të kontraktuara nga komuna, të cilat po punojnë me kapacitete të plota në ofrimin e ndihmës për familjet e prekura nga vërshimet dhe tejkalimin e kësaj situate.

Për gjendjen e krijuar folën edhe përfaqësuesit nga Stacioni Policor, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, si dhe drejtorë të drejtorive komunale. Në këtë takim u konstatua se gjendja aktuale është plotësisht e menaxhueshme, por si shtab emergjent dhe përfaqësues të institucioneve duhet të jemi vigjilent dhe në gjendje gatishmërie për çdo situatë.

Sot është ngritur Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, i cili ditëve në vijim do të dalë në teren për të evidentuar të gjitha dëmet e shkaktuara si në infrastrukturë rrugore, toka bujqësore, shtëpi banimi etj.

Anëtarët e Shtabit Emergjent në fund të takimit u dakorduan të jenë në komunikim të vazhdueshëm, duke përcjellur situatën me reshje të shiut dhe bazuar në këtë të ndërmirren edhe masat e nevojshme./Llapi.info