Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së  Podujevës, Ekrem Hyseni, ka drejtuar sot mbledhjen e parë me kryesinë e degës e kësaj partie në Llap, shkruan Llapi.info.

Sipas kumtesës së LDK-së, në këtë mbledhje është diskutuar për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

“E udhëhequr nga kandidati për kryetar të Podujevës, Dr. Ekrem Hyseni, sot Kryesia e Degës së LDK-Podujevë, mbajti mbledhje të rregullt në të cilën u bisedua për përgatitjet për zgjedhjet lokale. Në takim u vendos që ditëve në vijim, kandidati për kryetar, së bashku me kryesinë e degës do të zhvillojnë takime të ndara me kryetarët e nëndegëve, kryesitë e Forumit të Gruas dhe Forumit të Rinisë, në favor të mobilizimit të strukturave dhe anëtarësisë për zgjedhjet e tetorit. Po ashtu, kandidati për kryetar, së bashku me strukturat e LDK-Podujevë do të fillojnë angazhimet për formësimin e listës së kandidatëve për këshilltarë komunal, e cila do të jetë listë fituese dhe që siguron përfaqësim dinjitoz të qytetarëve llapjanë në Kuvendin e Komunës”, thuhet në njoftim.

Duhet theksuar se gjatë ditës së djeshme, ish-kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka tentuar që t’i mbledhë strukturat e kësaj partie, por që ka dështuar për shkak të kuorumit. Kandidatura e Hysenit ka ngjallur pakënaqësi tek një pjesë e LDK-së në Llap./Llapi.info