90 aksidente trafiku kanë ndodhur vetëm gjatë së enjtes në Kosovë, shkruan Llapi.info.
Sipas statistikave ditore të PK-së, 72 prej tyre kanë qenë vetëm me dëme materiale 17 me të lënduar, kurse një me fatalitet.
“Autostrada Prizren-Suharekë (NN) 19.08.2021 – 13:12. Është raportuar se ka ndodhë një aksident trafiku me fatalitet në të cilin kishin qenë të involvuara dy vetura njëra me targa vendore dhe tjetra me targa te Shqipërisë. Si pasoj e aksidentit viktima mashkull kosovar kishte ndërruar jetë, ndërsa lëndime trupore kanë pësuar edhe dy persona tjerë të cilët fillimisht janë dërguar në spitalin e Prizrenit, kurse njëri prej tyre është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, ekipi mjekësor i cili e ka konstatuar vdekjen e viktimës, zjarrfikësit dhe prokurori i shtetit me urdhrin e të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Me vendim të prokurorit drejtuesja e njërës nga veturat e involvuar në aksident, e dyshuara femër shtetase e Shqipërisë është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Ndërkaq, dy të rinj kanë humbur jetën në një tjetër aksident trafiku të enjten rreth orës 23:40, në magjistralen Prizren-Gjakovë. Një tjetër është në rrezik për jetë dhe është dërguar në QKUK për trajtim.
Policia ka thënë se shkaktar ka qenë pakujdesia dhe mospërshtatja e lëvizjes së automjetit i cili e ka humbur kontrollin e drejtimit në rrugë, konkretisht në fshatin Piranë.
Dy persona të tjerë, po ashtu të përfshirë në aksident, kanë pësuar lëndime më të lehta.
“Në fshatin Piranë, në magjistralen Prizren-Gjakovë me datë 19 gusht 2021, rreth orës 23:40 min., ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet ndërmjet dy veturave lokale, ku si pasojë përveç dëmeve materiale pesë persona kanë pësuar lëndime trupore. Dy persona nga të lënduarit të lindur në vitin 1998 dhe në vitin 1999 kanë mbetur të vdekur si pasoje e lëndimeve të rënda nga aksidenti. Në këtë aksident gjithashtu lëndime të rënda trupore dhe me rrezik jete ka pësuar edhe një pasagjer i cili është dërguar në QKUK në Prishtinë, ndërsa dy persona tjerë kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, ka thënë Policia e rajonit të Prizrenit.
“Dyshohet se deri të aksidenti ka ardhur për shkak të pakujdesisë dhe mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit duke e humbur kontrollin e drejtimit në rrugë”.
Trupat e pajetë janë dërguar për obduksion./Llapi.info






