Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kritikuar vizitën e kryeministrit Kurti në Japoni, në kohën kur nga Qeveria po kërkohet të gjejë zgjidhje për grevën në arsim e cila është duke vazhduar.

Abdixhiku ka thënë se “në kohë paqeje”, asnjëherë mësimi në Kosovë nuk është ndërprerë për një periudhë kaq të gjatë.

Kjo sipas kreut të LDK-së nuk është më gjendje normale.

Abdixhiku ka thënë se Kosova ka nevojë për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatitë vendin për betejat e madha përpara.

“Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim – rrinë në shtëpi – por Kryeministri i Kosovës zgjedhë të largohet për në Japoni.

Paaftësi dhe papërgjegjësi!

Ky njeri nuk di të qeverisë!

Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?

Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike. Kosova ka nevojë për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatitë vendin për betejat e madha përpara – në energjetike, inflacion, shëndetësi e ekonomi. Ikja nga këto ballafaqime është veç papërgjegjësi”, shkruan Abdixhiku.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Japoni për të marrë pjesë në funeralin shtetëror të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.

Kurti është i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.