Lokale - eSIMy

Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot rreth orës 09:00 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Grabitja është kryer në qendër të këtij qyteti, në momentin kur një punëtore e një super-marketi po i deponnte paratë, raporton Llapi.info.

Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 09:00 është pranuar informata për një grabitje të ndodhur në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet që një i dyshuar nën kërcënimin e shkrepjes së armës i ka grabitur një vlerë të parave të gatshme një personi që atë moment ishte duke shkuar për të deponuar ato”, ka thënë Ahmeti.

“Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, përderisa kanë filluar hetimet për identifikimin e të dyshuarit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit”, ka shtuar ajo.

Siç mëson Llapi.info, rreth 30 mijë euro është shuma e grabitur nga një person ende i panjohur për institucionet e sigurisë./Llapi.info