Qeveria e Kosovës në fund të muajit korrik pati marrë vendim që të lehtësohen disa masa të cilat ishin aplikuar më parë në luftën kundër pandemisë Covid-19, shkruan IndeksOnline.
E në mesin e këtyre masave të reja ishin edhe ato për shtyrjen e qarkullimit për qytetarët kosovar deri në ora 22:30.
Pas kësaj kohe qytetarët nuk mund të lëvizin.
Ndërkohë edhe vendosja e maskave në hapësirat publike vazhdon të mbetet në fuqi, deri në një vend tjetër.
Mirëpo një numër i qytetarëve kanë vendosur t’i sfidojnë organet e rendit, duke mos respektuar këto masa.
Në një përgjigje për IndeksOnline, Policia e Kosovës ka treguar se gjatë muajit të fundit në mbarë vendin janë shqiptuar mbi një mijë gjoba, apo janë hapur raste për mbi 1 mijë e 700 qytetarë, të cilët nuk kanë respektuar vendimet e institucioneve shtetërore në luftën kundër Covid-19.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, Policia e Kosovës në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas kodit penal në koordinim me organet e drejtësisë ka hapur mbi 1700 raste (neni 249/250)”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.
Ndryshe Policia e Kosovës së bashku me Inspektoratin Sanitar, shihet vazhdimisht duke operuar nëpër rrugët e qyteteve dhe duke këshilluar qytetarët që të bartin maskat dhe të përfillin vendimet e qeverisë, duke ruajtur kështu njëri tjetrin.