Emigrimi i qytetarëve vit pas viti po vazhdon të rritet. Vetëm gjatë 2019-ës, rreth 30 mijë kosovarë e kanë braktisur vendin, raporton Llapi.info.

Popullsia në Kosovës është tkurrur për 13 mijë banorë, përkundër faktit se pati shtim natyror prej 15 mijë personash.

Numri i kosovarëve që po e braktisin Kosovën nuk ka shënuar rënie, gjersa krahasuar me vitin 2017 pothuajse është trefishuar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar, bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) ishte -28 mijë e 845 banorë. Ndërkaq, krahasuar me vitin 2018, është shënuar rritje për më shumë se 7 mijë persona.

“Numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2018 është vlerësuar të jetë gjithsej 28,164 banorë, përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, thotë raporti i ASK-së.

Kjo rritje e ka prekur edhe Komunën e Podujevës. Numri i qytetarëve që kanë emigruar nga kjo komunë po del të mos jetë i vogël.

Sipas ASK-së, në vitin 2019, 1,362 persona kanë emigruar jashtë vendit. Krahasuar me vitin 2018, statistikat janë rritur për 390.

Arsyet kryesore që i kanë shtyrë ata ta marrin rrugën jashtë vendit po del të jenë bashkimi familjar, gjetja e një vendi pune dhe studimet.

“Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtete fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Po ashtu, gjatë vitit 2018 një numër emigruan duke kërkuar azil (aplikuesit për herë të parë) në vendet e BE-së, përfshirë vendet e Asociacionit të Tregtisë së Lirë të Evropës (EFTA)”, thuhet në raportin e ASK-së./Llapi.info