Lokale - eSIMy

Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19 ka mbajtur takim, në të cilin është shqyrtuar gjendja aktuale me pandeminë dhe respektimin e masave mbrojtëse, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, u informua nga bartësit e sektorëve lidhur me gjendjen aktuale epidemiologjike në komunë dhe kërkoi veprime dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Kryetari Bulliqi tha se që nga marrja e mandatit të kryetarit ka qenë vazhdimisht në kontakt me stafin udhëheqës të QKMF-së e veçmas me epidemiologen Bedrie Rama, për të përcjellur situatën me pandeminë.

Ai tha se janë duke u ndërmarrë masat që të zgjerohet hapësira dhe të shtohet numri i shtretërve në Qendrën për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në QKMF, ku tashmë pacientët mund të marrin edhe oksigjenoterapi.

Lidhur me gjendjen me pandeminë Covid-19, epidemiologia Bedrie Rama, tha se situata është e menaxhueshme, përkundër faktit se në komunën tonë vazhdon të ketë numër të madh të rasteve me Covid-19.

Në takim u tha se numri i përgjithshëm i të infektuarve në Komunën e Podujevës ka arritur në 1,349, kurse aktive janë 478 raste, ndërsa deri tani 39 persona të infektuar me Covid-19 kanë humbur jetën.

Komandanti i Stacionit të Policisë, Isak Ejupi, tha se janë duke zbatuar planin operativ në përputhje me Ligjin anti-Covid. Ai tha se brenda dy javësh kanë shqiptuar 181 gjoba për mos respektim të masave mbrojtëse.

Gjatë takimit u tha se personat e prekur me këtë virus dhe familjarët e tyre duhet të respektojnë masën e vetizolimit. Kryetari Bulliqi kërkoi që të sigurohen mjete mbrojtëse për shkollat dhe gjithashtu të bëhen investime në përmirësimin e kushteve higjienike.

Meqenëse Komuna e Podujevës vazhdon të mbetet në “Zonën e kuqe”, për shkak të numrit të madh të rasteve, Shtabi kërkon nga qytetarët të respektojnë masat dhe të shmangin grumbullimet, të mos organizohen ahengje të ndryshme familjare, kurse ceremonitë mortore të bëhen vetëm nga rrethi i ngushtë familjar dhe të mos organizohen pritje për ngushëllime-të pame.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit kërkohet nga qytetarët që të bartin maskat mbrojtëse dhe të mbajnë distancën sociale./Llapi.info