Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), ka nënshkruar marrëveshje me 17 Komuna të Kosovës, të cilat janë përfituese nga programi komunal për zhvillim të infrastrukturës ekonomike për vitin 2021, raporton Llapi.info.
Përfituese e këtij projekti është edhe Komuna e Podujevës. Siç ka njoftuar kumtesa e MAPL-së, Podujeva do t’i përfitoj 150 mijë euro, marrëveshje kjo e nënshkruar nga ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi.
Prej tyre, 70 mijë sosh janë për rregullimin e infrastrukturës përcjellëse në lagjen e komuniteteve, kurse 80 mijë euro për meremetimin e hyrjeve dhe objekteve banesore.
Bazuar në raportin e komisionit për vlerësim të kritereve si dhe natyrën e projekt propozimeve të pranuara nga komunat, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është aprovuar mbështetja financiare për 24 projekte në vlerë mbi 2 milion euro.
Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është financimi i projekteve komunale për zhvillim të infrastrukturës Socio-Ekonomike me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës./Llapi.info







