Krerët e Manchester Cityt janë të gatshëm të rihapin bisedimet për të vazhduar kontratën me mesfushorin Ilkay Gundogan, raporton “ESPN” të premten.
Gundogan ka kontratë me Cityn deri në verën e vitit 2020 dhe siç qëndron situata aktualisht, ai verën e ardhshme do të jetë i lirë.
Mirëpo, zyrtarët e Cityt shpresojnë të vazhdojnë kontratën me reprezentuesin e Gjermanisë. Gundogan 28-vjeçar ka dhënë kontribut të madh te City stinorin e kaluar, ndërsa skuadra fitoi Premier Leaguen, Kupën FA dhe Kupën e Ligës së Anglisë, transmeton Koha Ditore.
Ai luajti 50 ndeshje, ndërsa shënoi gjashtë gola dhe dha tetë asistime. Mësohet se Gundogan është i interesuar të qëndrojë te Manchester City, ndërsa trajneri i Cityt, Pep Guardiola e ka përshkruar më herët mesfushorin si një lojtar shumë të rëndësishëm.