Lokale - eSIMy

Me formimin e qeverisë së re të Kosovës, Agim Veliu, i cili deri në atë moment ishte kryetar i Komunës së Podujevës, e la atë për të ikur e akomoduar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Si pasojë e kësaj, kjo komunë tashmë i ka shpallur zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 15 mars.

Me të shënuar ora 00:00 e datës 3 mars edhe zyrtarisht ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës.

Kandidatët për kryetar të kësaj komune janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka fituar edhe pozitën e deputetit në zgjedhjet e fundit parlamentare, kurse nga PDK-ja, kandidat është Naim Fetahu.

Analisti Albinot Maloku për “Llapi.info” është shprehur se zgjedhjet e parakohshme për të parin e Podujevës, të cilat ndodhën si pasojë e ikjes së ish-kreut të Komunës në një pozicion tjetër, nuk kanë qenë aspak të nevojshme në këtë kohë.

“Gara aktuale për të parin e Podujevës është mes Lëvizjes Vetëvendosje të prirë nga Shpejtim Bulliqin (12) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me Nexhmi Rudarin (11). Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës me Naim Fetahun (10). Kjo e fundit mund të jetë edhe përcaktuese e fituesit”, thotë Maloku.

Ai thekson se para-fushata dha sinjale se edhe fushata do të jetë një garë me gjuajtje jo edhe të lehta mes kandidatëve. Gjithë kjo, për shkak se LDK e LVV nuk kanë një dallim të madh të forcës elektorale mes vete në këtë komunë, balotazhi mund të jetë i pashmangshëm.

“Ndryshimi patjetër se do të ishte i nevojshëm të ndodhte, ngase Podujeva vazhdon ta ketë të vetmin dallim të ndryshimit të regjimeve, atë, para dhe pas lufte. Për dy dekada është sunduar nga një mendësi politike. Për shkak të kësaj, LDK do të provojë gjithë forcën për të mos ndryshuar pozicionin e saj, pra për ta mbajtur Podujevën si bastion. Dy kandidatët opozitarë, pra ai i LV dhe PDK kanë një përgatitje shumë më të mirë sesa ai i LDK”, shprehet Maloku.

Maloku për fund thotë se numrat çift të këtyre zgjedhjeve mund të jenë më me fat për Podujevën, e cila sipas tij, ka shumë nevojë për ndryshime./Llapi.info