Përhapja e koronavirusit do të dominojë agjendën e Bashkimit Evropian, kur Gjermania të marrë kryesimin e presidencës së këshillit më vonë gjatë këtij viti, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

“Ne do të kemi një ‘presidencë të koronës’ me qëllim që të tejkalojmë koronavirusin dhe pasojat e tij”, ka shkruar Maas në një artikull të publikuar në të përditshmen gjermane, Die Welt.

Gjermania merr presidencën e BE-së më 1 korrik nga Kroacia.

Maas ka kritikuar Shtetet e Bashkuara sesi po përballen me krizën e koronavirusit, ndërkaq ka akuzuar Kinën se ka ndërmarrë “masa autoritare”.

Pandemia e koronavirusit është shpërndarë në 214 shtete, teksa 1,7 milion njerëz janë infektuar dhe mbi 108 mijë persona kanë vdekur.

Zbutja graduale e masave të kufizimit të lëvizjes do të jetë njëra nga detyrat e para “posa ta kemi kaluar rrezikun” ka shkruar Maas në artikullin e publikuar në Die Welt.

Blloku po ashtu duhet të nxjerrë mësime nga kjo krizë, siç është përmirësimi i mbrojtjes civile të BE-së, prokurimi i përbashkët dhe prodhimi e furnizimi i pajisjeve mjekësore, ka shtuar Maas./rel