Lokale - eSIMy

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur në lidhje me situatën në Veri pas largimit të serbëve nga institucionet.Haziri në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se sot është një ditë e keqe për Kosovën.

Ai theksoi se veriu po rrëshqet nën kontroll të strukturave paralele dhe po ndërtohen kauza të reja politike.“Eshtë një ditë e keqe për Kosovën, largimi i përfaqësuesve të zgjedhur, deputetëve, i ministrit, i policisë së shtetit dhe tendenca që me lëshu edhe gjyqësori edhe përfaqësuesit e tjerë. Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës është lajm i keq dhe veprim i keq. Kjo duhet të shihet si pasojë nga po vjen dhe në cilën rrethanë kohore po vjen. Po rrëshqet ai territor nën kontroll të strukturave paralele dhe po ndërtohen kauza të reja politike” deklaroi Haziri për “Gazeta Blic”.

Tutje Haziri potencon se Qeveria duhet të koordinohet me aleatët për çështjen e targave në mënyrë që të evitohet tensionimi i situatës.“Duhet Qeveria të koordinohet me aleatët tanë çështjen e regjistrimit të targave edhe çështje të tjera që lidhen me kërkesa dhe me pritjet që janë shkaktu, në mënyrë që të evitohet tensionimi i situatës” tha ai.

Lista Serbe ka vendosur të shtunën që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

“Ky vendim ka ardhur pas suspendimin të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës’ thuhet në njoftimin e tyre.Ndërkohë kryeministri Kurti në reagimin e tij pas largimit të serbëve nga institucionet. bëri me dije se vendimi për targat do të vazhdojë të zbatohet.
“Nga 1 nëntori ka filluar dhënia e qortimeve apo vërejtjeve ndaj ngasësve të veturave që bartin tabela ilegale në territorin e Kosovës, trashëgimi ato e regjimit të Milosheviqit. Deri më sot, numri i qortimeve të dhëna është gjithsej 843. Nuk ka pasur asnjë incident dhe nuk është regjistruar asnjë ankesë. Kështu do të vazhdojmë për tri javë, pra deri më 21 nëntor, atëherë kur fillojnë gjobat ashtu siç parashihet me ligj. Ndërkohë, qytetarët me tabela ilegale KM, PR etj. do të mund t’i konvertojnë ato në legale RKS me lehtësime të mëdha tatimore” shkroi Kurti në reagimin e tij raporton Gazeta Blic.