Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar Shqipe Bajçinca Brestovcin, ai anëtarët më të re të partisë me të cilën udhëheq, raporton Llapi.info.
Abdixhiku ka treguar për biografinë e profesoreshës së Edukimit Fizik dhe Sportit, Shqipe Bajçinca Brestovci, derisa ka thënë se përvoja e saj në fushën e sportit, do të jetë ndihmë e madhe për LDK-në dhe hartimin e programit të partisë.
Shkrimi i plotë nga Lumir Abdixhiku:
Profesoresha e Edukimit Fizik dhe Sportit, Dr. Shqipe Bajçinca Brestovci, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shqipes i urova mirëseardhje dhe mbarësi në angazhimet e përbashkëta rreth politikave sportive që do t’i ndërtojmë e prezantojmë përpara.
Shqipja është ligjëruese universitare në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo ka një jetë të tërë kushtuar sportit; duke lënë gjurmë kulmore në fushën e hendbollit, atletikës dhe karatesë. Sot, Shqipja është anëtare e Bordit Ekzekutiv në Komitetin Olimpik të Kosovës, anëtare e Bordit Ekzekutiv në Federatën e Hendbollit të Kosovës dhe delegate ndërkombëtare në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF).
Përvoja e saj e jashtëzakonshme në sport, dija dhe kapacitetet e saj profesionale do të jenë bazë e shëndoshë e programit të ardhshëm politik që LDK ka nisur ta ndërtojë. Bashkimi i profesionistëve si profesoresha Bajçinca-Brestovci, ndërsa, për ne është mundësi e shkëlqyeshme për t’i ofruar qytetarëve tanë e vet Kosovës, njerëz kredibil e profesionistë të përkushtuar në secilën fushë. Kjo e sportit, me gjithë profesionistët e tjerë që i kemi tashmë, merr një vulë.
Shqipja është nënë e dy fëmijëve, Gjergjit e Marës, bashkëshorte e Shkumbinit.
Na priftë e mbara Shqipe.







