Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka apeluar qytetarët që t’i përmbahen rregullave të dala nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për tu mbrojtur nga përhapja e coronavirusit.

Zemaj përmes një video-mesazhi ka thënë se MSH-ja dhe IKSHPK-ja kanë përgatitur manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19.

Ai tha se të gjitha institucionet dhe qytetarët obligohen ta zbatojnë atë.

“Të dashur qytetarë, beteja jonë e përbashkët me coronavirusin, COVID-19 do të vazhdojë edhe më tej. Puna e institucioneve, durimi, angazhimi i juaj ka shpëtuar shumë jetë por nuk mund të ndalemi tani në gjysmë të rrugës dhe as të kthehemi prapa. Ju keni nevojë për punë, mirëqenie e shëndet të plotë, ndërsa është detyrë e jona që t’ua mundësojmë këtë. Për këtë qëllim Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë përgatitur manualin për mbrojtje nga përhapja COVID-19. Të gjitha institucionet dhe qytetarët obligohen ta zbatojnë atë. Ju lusim ta përdorni maskën, ruani distancën dhe mirëmbajeni higjienën personale e kolektive. Shëndeti është obligim i yni i përbashkët. Ju faleminderit”, ka shkruar Zemaj, në Facebook.

https://www.facebook.com/watch/?v=340774590242622