Liridon Leci, futbollist i Dritës, ka konfirmuar se lojtarët e këtij kanë pasur premi të premtuar nga kryesia, nëse arrijnë të nxjerrin rezultat pozitiv të shtunën ndaj Llapit, që po vazhdon luftën për titull.

Në Sportin Total në KTV, Leci ka thënë se kjo ishte një premi për të respektuar kampionatin, pasi tashmë dihet se kampioni në fuqi nuk është në garë për titull e se e ka të siguruar mbijetesën.

Ai nuk ka pranuar të japë detaje për shumën apo diçka tjetër, por ka thënë se klubi u ka dhënë disa herë premi këtë sezon.

“Kishim një premi për të respektuar kampionatin. Nuk e di sa ishte premia, sepse s’isha në zhveshtore. Pas ndeshjes kam marrë vesh se ishte shumë e mirë. Ka pas premi edhe me Gjilanin. Ka pas premi në dy-tri ndeshje tjera. Vazhdimisht kemi premi”, ka thënë ai teksa ka shtuar se Drita qëndron mirë financiarisht.

Llapi arriti me një gol të Festim Alidemës të fitojë ndaj Dritës për të mbajtur hapin me liderët Feronikeli e Prishtina.

Leci po ashtu ka folur për pezullimin e tij nga Komisioni Disiplinor i FFK-së për dyshimet se kishte sulmuar futbollistin e Trepçës ’89, Hasan Hyseni, pas xhiros së 28-të.

Ai ka mohuar se ka sulmuar lojtarin, ndërsa për rastin tjetër për sjellje josportive ndaj asistenti Granit Hyseni, Leci ka pranuar se ka kërkuar sqarime për një rast.

“Duke zbrit poshtë, gjyqtarët ngjiten lartë te hapësira e tyre. Unë isha sipër. Te një penalti kam pas dyshime që s’na është dhënë. Anësori ka pa mirë. Kam qenë i frustruar. Duke zbritur, korridori shumë i ngushtë e i kërkova sqarim pse nuk e referove penaltinë. Kjo sa i përket anësorit. E për futbollistin e Trepçës, kam deklaruar se le të del një njeri me incizim që ta shoh se e kam godit. Unë e lë futbollin fare nëse dukem duke e goditur dikë. Kanë qenë 50 vetë, në një korridor të ngushtë. Si mundem në një diferencë 7 metra ta godas”, ka thënë Leci.

Sipas tij, Hyseni e ka ofenduar gjatë gjithë ndeshjes, por se është e pavërtetë se Leci ka sulmuar rivalin. Sipas tij, komisioni është bazuar në deklaratat e Trepçës dhe jo në fakte.