Fushata lobuese, të cilën javëve të fundit e kanë ndërmarrë autoritetet e Kosovës për futjen e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, si dhe arritjen e një vendim pozitiv për Kosovën, në dhjetor të këtij viti, është mjaft e vonuar, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane.
Në këtë fushatë janë angazhuar edhe liderët kryesorë institucionalë të Kosovës, pas skepticizmit të shprehur nga vende të caktuara anëtare të Bashkimit Evropian, se një vendim pozitiv për Kosovën do të jetë i mundshëm brenda këtij viti.

Por, njohësit e integrimeve evropiane, vlerësojnë se lobimi, siç e quajnë ata “i minutës së fundit” nuk mund të jetë efektiv dhe të ndryshojë qëndrimet e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat qëndrime janë krijuar për kohë më të gjatë dhe ndërlidhen me interesat e tyre politike.

Jehona Lushaku – Sadriu, politologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e BE-së për liberalizim të vizave dhe ky është argument i fuqishëm për të, në këtë fazë. Por, sipas saj, është paradoksale se si politikanët e Kosovës nuk kanë arritur deri më tash që ta imponojnë këtë fakt, në mënyrë që të ketë një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Lobimi sigurisht që bëhet në faza të ndryshme, por bëhet gjithmonë më herët se në minutat e fundit. Këto më nuk kanë as kuptim, sepse shtetet anëtare dhe përfaqësitë e tyre janë edhe në Prishtinë. Lobimi bëhet me ofrim të statistikave dhe të dhënave të sakta për t’i bindur shtetet se është bërë përparim në pikat që ata i kanë dilemat. Kjo është lehtë e argumentueshme edhe prej Prishtinës dhe shkuarja fizikisht në shtetet e ndryshme, nuk ka kurrfarë kuptimi, posaçërisht në këtë fazë të fundit”, tha Lushaku-Sadriu.

Avni Mazrreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që lobimi i javëve të fundit i zyrtarëve institucionalë të Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave, është praktikë e gabuar dhe që nuk mund të japë efekt.

“Ne, kur kemi të bëjmë me qëndrim të shteteve, ai nuk ndërron brenda 24 orësh, as brenda 24 ditësh dhe as nuk ndërron brenda një apo dy muaj. Shtetet kanë koherencë në qëndrimet e tyre politike, në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në qëndrimet e tyre ndaj vetë organizatave multilaterale, sepse shtetet ndërveprojnë njëra me tjetrën. Ky ndërveprim bëhet për interesa të caktuara dhe qëndrimi i tyre nuk mund të pritet se mund të ndërrojë brenda një periudhe të shkurtë kohore. Ndërkaq, Kosova ende nuk e ka krijuar një traditë të mirë të funksionimit në politikën e jashtme”, theksoi Mazrreku.

Ndryshe, njohësit e integrimeve evropiane, thonë që vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, qoftë për futjen në agjendë të diskutimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, qoftë më pas një vendim pozitiv ose jo, është politik.

Lushaku-Sadriu thotë se në këtë pikë tashmë kemi të bëjmë me një qëndrim të BE-së që ka argumente politike, për shkak se ajo ka zgjedhje në fillimin e vitit të ardhshëm.

“Momenti është jashtëzakonisht i pafavorshëm për të pasur një përkrahje politike, posaçërisht për një shtet, për të cilin ata thonë se ka potencial migrimi, ndërkohë që migrimi është një prej sfidave kryesore që e ka BE-ja. Këshilli i Ministrave e bën agjendën qysh më herët dhe besoj që deri në këtë fazë është e definuar se çfarë do të ketë brenda mbledhjes. Zakonisht hyjnë pikat, për të cilat ka kompromis paraprak se do të kalojnë. Meqë është vërejtur që për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk ka konsensus, besoj që – në bazë të informacioneve – nuk do të jetë pjesë e agjendës”, u shpreh Lushaku – Sadriu.

Mendim të ngjashëm ka edhe Mazrreku.

Ai vlerëson se gjasat janë krejtësisht të pakat që Kosova të pres një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave brenda këtij viti.

“Situata për Kosovën vazhdon të jetë komplekse edhe si rezultat i një politike jo-efektive të saj në raport me arritjen e këtij qëllimi, mungesës së kuptueshmërisë së drejtë të mënyrës se si funksionon Bashkimi Evropian, por edhe si rezultat i mungesës së një strategjie të qartë se cilët do të duhej të ishin hapat e Kosovës në tërë procesin e liberalizimit të vizave. Prandaj, çfarëdo aktiviteti, qoftë intensiv ose jo, i liderëve tonë institucionalë, ka pak gjasa që të ndikojë në arritjen e këtij qëllimi të rëndësishëm për Kosovën dhe popullin e saj”, tha Mazrreku.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2012. Rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, erdhi në korrik të këtij viti, ndërkaq, votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, në muajin shtator. Këshilli i Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, japin vlerësimet e tyre, mbetet sfida kryesore për Kosovën në këtë proces.