Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Automjete të ndryshme po vidhen qoftë në parkingje apo hapësira tjera publike, e madje edhe nga oborret e shtëpive.

Një rast i tillë i vjedhjes është raportuar të ketë ndodhur edhe në fshatin Lluzhan të Podujevës, për çka Policia tashmë ka nisur hetimet.

Sinjali ka mësuar se pronari i një veture e ka raportuar rastin në Polici, ku ka raportuar se hajnat i thyen xhamin e veturës ku e kishe parkuar dhe i vodhën një çantë me para e dokumente personale.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se rasti u zbulua pas denoncimit të viktimës, i cili para hetuesve policorë ka rrëfyer se si e gjeti xhamin e thyer kur u kthye për ta marrë veturën.

Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Vjedhje e rënde” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarve.