Lokale - eSIMy

Ka më shumë se 5 muaj prej se kur banorët e Komunës së Podujevës janë duke u ballafaquar me gropa më të mëdha se gjysmë metri në rrugën “Zahir Pajaziti” në qendër të Qytetit të Podujevës, shkruan Llapi.info.

Edhe pse në shkurt të këtij viti ishte thënë se këto gropa do të sanoheshin në muajin prill, një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur.

“Dimri na i ka dëmtuar shumë rrugët i ka bërë disa gropa goxha të mëdha. Në këtë kohë nuk ka asfalt mirëpo mund të sanohen me beton por ajo për tri ditë prishet. Sanimi i gropave në qytet në rrugët e asfaltuara do të bëhet gjatë muajit prill” kishte thënë në muajin e dytë të këtij viti për Llapi.info drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi.

Teksa jemi në muajin korrik këto gropa nuk pritet të sanohen edhe në më shumë se një muaj. Të paktën kështu është thënë sërish në një përgjigje të Komunës së Podujevës. Sipas tyre komuna ka iniciuar procedurat për asfaltimin e rrugës “Zahir Pajaziti” dhe se pas përfundimit të tyre do të fillojë që kjo rrugë të shtrohet tërësisht me asfalt.

“Komuna e Podujevës, përkatësisht Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, ka iniciuar procedurat e prokurimit me afat të shkurtuar për rikonstruimin dhe asfaltimin e rrugës “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Punimet në këtë projekt do të fillojnë menjëherë pas përfundimit të procedurave të prokurimit dhe afateve të parapara me ligj”, thuhet në përgjigjen e komunës së Podujevës.

Kujtojmë se procedurat e prokurimit në bazë të afateve të parapara me ligj zgjasin në më shumë se 30 ditë./Llapi.info.