Dy ditë para festës së 28 Nëntorit, një grup i vullnetarëve kanë vendosur flamuj kombëtarë shqiptarë në Podujevë

Sa herë që vjen nëntori, llapjanët bëhen gati të stolisin Podujevën me flamuj kuqezi.

Edhe kësaj radhe, banorët e këtij qyteti filluan dekorimin dy ditë para festës së 28 Nëntorit.

As i ftohti dhe mungesa e mjeteve adekuate, nuk po i ndalon të vazhdojnë punën për të cilën janë mbledhur, raporton T7.

Baki Ejupi, që është veteran i UÇK-së e nënoficer i FSK-së, për çdo vit organizon vendosjen e flamujve në pjesë të ndryshme të Podujevës.

Një gjë të tillë thotë ta ketë borxh për ata që dhanë shumë për kombin shqiptar.

“Kjo është një simbolikë shumë e vogël krahasim me punën dhe gjakun e derdhur për flamurin kombëtar. Unë kam shumë bashkëluftëtar që i kam njoftë që sot nuk janë ma në këtë botë. Mundohem nëpërmes kësaj punë simbolike me përcjellë amanetin e tyre që kurrë mos me harru simbolin kombëtar”, thotë Ejupi.

Edhe ata që po ndihmojnë eprorin e FSK-së thonë se po e bëjnë me qejf një punë të tillë.

“Ne jemi vullnetar për arsye se kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve dhe për dëshmorët që kanë ra për lirinë e këtij vendi”, thotë Veton Kadriu.

Edhe Faik Haliti që po vozitë eskavatorin thotë të ndjejë obligim të ndihmojë në stolisjen me flamuj kombëtar qytetit e Podujevës.

“E kemi ndje obligim moral që të ndihmojmë sa do pak për çështjen kombëtare”, thotë Haliti.

Nderkaq Bashkësia Islame në Podujevë që po financon këtë aktivitet thotë se do ta përkrahë në vazhdimësi këtë organizim.

“I kemi mbështetur me një shumë simbolike, nëse do të ishin mundësitë do të përkrahnim në çdo pjesë të Kosovës vendosjen e flamujve kombëtar. Kështu që të rinjët tonë të frymëzohen dhe të inkurajohen kombëtarisht”, shprehet Jashari.

Por, me aq gatishmëri nuk shprehët kur është fjala për vendosjën e flamujve shtetëror pasi Jashari beson se shqiptarët kanë vetëm një flamur atë kuq e zi.

“Ne mbështesmi vendosjen e flamujve shtetëror nëpër godinat e institucioneve shtetërore, nuk ka asgjë të keqe. Por ne jemi duke folur për flamurin kombëtar, i cili i tejkalon çdo simbolikë e çdo flamur tjetër”, thotë kryeimami i BIK-ut në Podujevë.

Por, vendosjen e flamurit shtetëror do ta bëjë një ish-ushtar i UÇK-së, veçse në festën e pavarësisë së Kosovës.

“Po edhe për 17 shkurtin e bëjmë të njejtën gjë, e kombinojmë flamurin shtetëror me atë kombëtar”, shprehet veterani i UÇK-së, Baki Ejupi.

Ky grup i vullnetarëve gjatë ditës ka vendosur rreth 300 flamuj, nga Podujeva në drejtim të fshatrave që çojnë në Merdare.