Xhiroja e 13-të në kampionatin kosovar në futboll takon sot Llapin dhe Drenicën, shkruan Llapi.info.
Sfida luhet në stadiumin e qytetit të Podujevës, Zahir Pajaziti me fillim nga ora 13:00.
Djelmoshat llapjanë kërkojnë këndelljen në këtë takim pas dy disfatave të njëpasnjëshme.
Në xhiron e parë të zhvilluar në “Bajram Aliu” të Skenderajt, Llapi u mposht thellë nga drenicasit me rezultat 3-0.
Për t’i harruar dy ndeshjet e fundit në të cilat llapjanët pësuan humbje, “Legjendat” janë përgatitur maksimalisht që t’u rikthehen fitoreve pikërisht në shtëpi. Po ashtu, synimin e arkëtimit të pikëve të plota e kanë edhe mysafirët.
Pas 12 javëve, Llapi radhitet në pozitën e pestë me 20 pikë, ndërsa Drenica ka 17 pikë në vendin e shtatë.
Gjyqtarët e këtij takimi janë Alban Shala, i asistuar nga Granit Hysenaj dhe Elvis Bicaj.
Duhet përkujtuar se klubi nga Podujeva edhe këtë takim do ta luajë si vendas pa tifozë, pas dënimit që mori nga Komisioni Disiplinor në ndeshjen ndaj Ferizajt./Llapi.info






