Trepça ’89 edhe zyrtarisht është shpallur kampione e Kosovës për stinorin 2016/17 tri ndeshje para fundit të kampionatit.

Por sot, kampioni i ri i Kosovës do ta presë skuadrën e të Llapit në Mitrovicë.

Finalistët e Kupës së Kosovës do të kërkojnë fitore pasi synojnë të marrin pozitën e dytë në kampionat.

Në një prononcim, trajneri i Llapit Tahir Batatina ka folur për këtë kampionat.

Ai ka bërë me dije se do ta duartrokasin 89-shin para ndeshjes por në fushë kërkojnë maksimumin e pikëve.

“Ne do të futemi në fushë dhe t’i presim me duartrokitje futbollistët e Trepçës ’89 të cilët janë shpallur kampion”.

“Ata e meritojnë këtë, pasi me plot meritë janë kampion falë punës kolektive dhe angazhimit të madh në fushë. I dëshiroj edhe suksese në Ligën e Kampionëve pasi edhe zyrtarisht kanë marrë licencimin nga UEFA”, ka deklaruar Batatina.