Te skuadra e Llapit tashmë kanë nisur të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Në fakt, ekipi nga Podujeva edicionin aktual po e konsideron të mbyllur, pas triumfit në Kupën e Kosovës në futboll, ndonëse kanë mbetur edhe dy xhiro në Superligë. Llapi ende nuk e ka siguruar matematikisht mbijetesën.

Llapi të mërkurën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e fitoi Kupën e Kosovës, përkatësisht trofeun e parë në histori të klubit. Në finale të kësaj gare e mposhti skuadrën e Dukagjinit pas penalltive. Koha e rregullt e ndeshjes u mbyll pa gola, derisa pas dy vazhdimeve prej 15 minutave, rezultati ishte 1:1. Suksesi në Kupën e Kosovës ia garanton Llapit daljen në Evropë duke e bërë ekipin e parë nga Kosova që konfirmon pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm. Llapi do të paraqitet në Ligën e Konferencës, garë që do të nisë sezonin tjetër dhe është niveli i tretë në kuadër të garave që zhvillohen nën ombrellën e UEFA-s për klube.

Një ditë pas triumfit në kupë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se tashmë ka nisur punën jo vetëm për garat evropiane, por edhe për edicionin e ardhshëm në Superligën e Kosovës.

“Pasi realizova ëndrrën që e kam pasur gjithmonë, të shkruaj historinë te Llapi, tashmë jam më i qetë. Tashmë u konfirmua Llapi evropian që kam insistuar në vitet e fundit, ndonëse ka pasur prej atyre që nuk kanë besuar. Dhe menjëherë kam nisur përgatitjet për edicionin e ri”, është shprehur Batatina për KOHËN.

Batatina ka paralajmëruar një skuadër të frikshme për edicionin e ardhshëm, e cila nuk do të kënaqet vetëm me pjesëmarrje në Evropë. Ai dëshiron dhe synon që Llapi në Evropë të bëjë debutim të fuqishëm.

“Menjëherë kam filluar të mendoj për garat evropiane dhe të bëj planin gati. Dua ta kompletoj një ekip të fortë apo më mirë të them, skuadër të fuqishme që do ta shkruajë historinë edhe në arenën ndërkombëtare. Nuk do të kënaqem vetëm me pjesëmarrje, por me rezultate të mira duke synuar sa më shumë”, ka insistuar Batatina. “Në kryesinë e klubit, në krye me kryetarin Beqir Batatina, tashmë janë shumë të motivuar pas triumfit në Kupë dhe kanë nisur mobilizimin për sezonin e ri, ku synojnë të sjellin sa më shumë lojtarë cilësorë në skuadër”.

Krahas garave në Evropë, Batatina për sezonin e ardhshëm ka synime të mëdha edhe në futbollin e Kosovës. Triumfi në Kupën e Kosovës i ka shtuar apetitet te Llapi dhe trajneri tashmë ka paralajmëruar se skuadra e tij do të synojë njërën prej tri pozitave të para në tabelë. Ai ka zbuluar se ka nisur negociatat me disa prej lojtarëve më cilësorë në elitën e futbollit kosovar, por nuk ka përjashtuar mundësinë që të forcohet edhe më të huaj.

“Mund të konfirmoj se veçse i kam nisur bisedimet me tre prej futbollistëve më cilësorë në Superligën e Kosovës. Sigurisht se do të ketë edhe lojtarë të huaj pasi Llapi do të jetë i kompletuar në çdo aspekt sezonin e ardhshëm. Kur e them këtë dua të bëj me dije se edhe në kampionat synimet janë të mëdha, duam të kapim njërën prej tri pozitave të para dhe besoj se kjo do të arrihet me ekipin e përforcuar që e kam në mendje”, është shprehur Batatina.

Trajneri llapjan e ka parasysh se ekipi i tij nuk do të ketë kohë për pushim pas sezonit aktual pasi i duhet të bëhet gati për Ligën e Konferencës. Përgatitjet për Evropë, Llapi ka gjasa të mëdha që t’i kryejë jashtë Kosovës, varësisht prej situatës dhe kërkesës së trajnerit Batatina.

“Shumë shpejt do të filloj të mendoj se ku do ta bëjmë edhe fazën përgatitore para garave evropiane pasi fillimisht dua që të kompletohemi”, është shprehur Batatina.

Sa i përket këtij edicioni në Superligën e Kosovës, Batatina nuk ka as dyshimin më të vogël se Llapi do të sigurojë mbijetesën. Llapi është aktualisht në pozitën e pestë në tabelë me 42 pikë të mbledhura, pesë më shumë se vendi i nëntë që e mban Arbëria dhe që sezonin tjetër dërgon në një rang më të ulët garash. Dy ekipet e fundit do të largohen nga garat derisa skuadra që përfundon në pozitën e tetë do të luajë në barazh. Largimi nga Superliga tashmë është konfirmuar për skuadrën e Besës së Pejës që ka tubuar vetëm 12 pikë pas 34 ndeshjeve të zhvilluara. Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe dy xhiro. Në xhiron e parafundit Llapi është mysafir i Arbërisë, derisa ndeshjen e fundit e luan në shtëpi kundër skuadrës së Feronikelit.

Në Ligën e Konferencës do të garojë edhe nënkampioni i Kosovës. Shorti për raundin e parë kualifikues, ku paraqiten Llapi dhe nënkampioni kosovar është më 15 qershor. Ndeshjet janë më 8 e 15 korrik. Pra, Llapin e pret një verë maksimalisht e ngarkuar.