Është liruar nga pozita e drejtoreshës së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Podujevës, Egzona Mustafa, raporton Llapi.info.

Lirimi i saj nga detyra është bërë nga i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pasi Mustafa do të nis aftësimin  e specializimit.

Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

“Mustafa është liruar nga detyra pas kërkesës së saj, pasi nga 1 shkurti fillon aftësimin profesional – specializimin”, është shprehur Zhitia.

Më tej, Zhitia është shprehur se Komuna ka nisur procedurat për zgjedhjen e drejtorit të ri, për çka siç ka thënë ai, qytetarët do të mbahen të informuar.

Ndryshe, më 12 dhjetor të vitit të kaluar, nëpërmjet një konference për medie, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pati prezantuar drejtorët e rinj.

Në një konferencë për medie, i pari i Podujevës, duke prezantuar drejtorët, ka thënë se nën qeverisjen e tij do të ketë transparencë e llogaridhënie./Llapi.info