Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka vendosur të refuzojë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tre të dyshuarve që u kapen me 1 milion euro cash, shkruan Insajderi.
I përfshirë është efektivi i Policisë së Shtetit, Aurel Kaziu.
Kaziut dhe dy personave të tjerë iu janë gjetur rreth një milion euro të padeklaruara përmes skanimit me rreze X.
“Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike. Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit”, thuhej në njoftim.






