Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se lirimi i tre policëve dëshmon vërtetësinë për skemat e krijuara nga Beogradi me qëllim destabilizimin në veri të vendit.
“Lirimi nga paraburgimi në Serbi i tre policëve të Kosovës, është lajm i mirë që dëshmon edhe më tej vërtetësinë për skemat e krijuara nga Beogradi me qëllim destabilizimin në veri të vendit:, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, kidnapimi i tre policëve nuk kishte të bënte me drejtësi, por me agresionin e Serbisë në Kosovë.
Ajo ka thënë se këtë fakt duhet ta njohin dhe ta pranojnë edhe ndërkombëtarët të cilët duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj Serbisë.
“Kidnapimi i tre policëve nuk kishte të bënte me drejtësi por me agresionin e Serbisë në Kosovë. Këtë fakt duhet ta njohin dhe pranojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj autoriteteve serbe për hyrjen e tyre të jashtëligjshme në Kosovë dhe rrëmbimin e tre policëve kufitarë”, ka thënë e para e Drejtësisë.
Gjatë ditës së sotme, Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe me 14 qershor.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban me anë të një postimi në Facebook ka konfirmuar lirimin e tre policëve si dhe ka marrë meritat për lirimin e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, ministri Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka informuar kryeministrin Viktor Orban për lirimin e policëve.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u kidnapuan më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.
Të njëjtit dolën sot sërish para Gjykatës së Kralevës në Serbi, ku raportohet se edhe u mor vendimi për lirimin e tyre.