Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, para simpatizuesve të kësaj partie në Suharekë, tha se vizioni i Nismës është rruga e vetme që hap perspektivë për Kosovën.

Ai tha se qeveria e ardhshme do të negociojë për marrëveshjen me Serbinë dhe se Kuvendi i Kosovës do të miratojë atë marrëveshje, andaj sipas tij, është e rëndësishme se cilët deputetë do ta votojnë.

“Nëse atje në parlament nuk çojmë deputetë, të cilët nuk janë të vetëdijshëm se çka votojnë, fusim njerëz që nuk dinë se si negociohet marrëveshja me Serbinë, ata njerëz do të vendosin edhe për fatin e fëmijëve që ende nuk janë lindur. Është shumë me rëndësi se kënd po e çojmë atje dhe kush do të ngritë dorën dhe kush do të negociojë marrëveshjen me Serbinë dhe jemi para atij momenti që Qeveria dhe Parlamenti që do të dalë pas 6 tetorit, të vendosë për fëmijët tanë që ende nuk janë lindur, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm në zgjedhjen tonë”, u shpreh Limaj.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se partia e tij është rruga e vetme që ofron zgjidhje për shtetin e Kosovës.

Nga Suhareka ai ka ripërsëritur se ka kandidatë që duan të bëhen kryeministër e që asnjëherë nuk kanë pasur një punë.

“Një kryeministër i cili nuk ka përvojë dhe nuk di të japë zgjedhje, nuk di direktiva, orientime dhe në fund vendime bllokohet shteti, andaj është me rëndësi të jetë një njeri që ka përvojë, kemi bërë hajgare me shtetin tonë. Për herë të parë të vendit njeriu konkurron si referent, arsimtar, profesor, mjek i përgjithshëm, por konkurrimi i parë për kryeministër pa e njohur shtetin tënd, kjo vetëm te ne ndodh… Gjërat më serioze i kemi sesa po na shpërfaqen nga ajo që shihni nëpër debate… A do qytetari a jo ta përqafojë këtë opsion, është zgjidhja e Kosovës, a do ta lë për më vonë, është i qytetarëve të Kosovës. A do t’i mbështesë Kosova ata që e mashtrojnë Kosovën, vendos qytetari, por një gjë e di, rrugë dhe opsion tjetër nuk ka përveç këtij vizioni që ofron zgjidhje”, tha ai.