Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Antonello De Riu është optimist se nën presidencën çeke të Bashkimit Evropian do të jepet hapi i parë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

De Riu ka ritheksuar mbështetjen e Italisë për liberalizimin e vizave dhe për dialogun me Serbinë.

“Qëndrimi i Italisë për liberalizimin e vizave është i qartë që nga fillimi. Italia përkrah liberalizimin e vizave edhe ngase Kosova ka mbetur i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që i nënshtrohet kësaj disipline”, tha ai.

“Qytetarët kosovarë e njohin edhe natyrën e procedurave brenda BE-së, por sigurisht e dinë se Italia do të vazhdojë të mbështesë qëndrimin e Kosovës me partnerët evropian. Shpresojmë se me presidencën çeke, do të mund të jepet një hap i parë i rëndësishëm për të nisur këtë proces, fatkeqësisht deri më tani të bllokuar”, u shpreh diplomati.

Lidhur me bashkëpunimin Itali-Kosovë, ambasadori De Riu, u shpreh se duhet të thellohet më tej.